Tetovë, 6 gusht – Nënkryetari i Lëvizjes Besa, Abdush Demiri sot mbajti konferencë për shtyp në zyrat partiake në Tetovë në të cilën e përsëriti idenë për formimin e komisionit për zbatimin e reformave.
Sipas kësaj partie, ky është plani për dalje nga tranzicioni i gjatë i reformave në sistemin juridik.
“Oferta e Lëvizjes Besa për të krijuar një Komision shtetëror qoftë nga ana e Kuvendit apo e presidentit të vendit, është një qasje e sinqertë, serioze dhe një zgjidhje e cila do të sillte reforma afatgjate, cilësore duke u harmonizuar me vlerat dhe standardet evropiane. Edhe njëherë e ritheksojmë nevojën e menjëhershme për krijimin e këtij Komisioni për të përshpejtuar reformat në sistemin juridik, me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke na ndihmuar në aplikimin e reformave thelbësore, kualitative dhe të menjëhershme, që do të rezultonin me rrumbullakimin e këtij procesi përmes vetingut, i cili përfundimisht do të çlironte gjyqësorin, prokurorinë apo gjithë sistemin juridik nga partizimi dhe politizimi, nga mendësia e ish-sistemit dhe nga qasja selektive në aplikimin e të drejtës”, theksoi Demiri.
Sipas tij, reformat nuk duhet t’u lihen vetëm partive në pushtet.
“U dëshmua edhe njëherë se nëse reforma në sistemin e drejtësisë lihet në duart e partive politike, dhe atë të partive që në një apo formë tjetër kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë të keqpërdorin pushtetin gjyqësor në interes të politikës, ato vetëm se do krijojnë edhe më tepër kriza dhe asnjëherë nuk do të lejojnë dalje nga ky rreth vicioz”, deklaroi nënkryetari i Besës.