Shkup, 21 maj – Pas njoftimit zyrtar se Lëvizja BESA do ta drejtojë ministrinë e Kulturës në qeverinë e Republikës së Maqedonisë, ditëve të fundit janë shpeshtuar reagimet e disa personaliteteve të jetës publike dhe organizatave joqeveritare, që e kundërshtojnë këtë vendim me arsyetime të ndryshme.
Duke e respektuar qëndrimin e tyre, si dhe duke shfaqur gatishmëri për të bashkëbiseduar dhe komunikuar me të gjithë ata se me çka rrezikohet kultura në Maqedoni nëse atë e drejton Lëvizja BESA, pa dashur të paragjykojmë për motivet dhe prapavijën e nxitjeve, dëshirojmë të shpjegojmë se nëse ndonjë parti shqiptare në Maqedoni ka merituar të jetë pjesë e kësaj qeverie, kjo është Lëvizja BESA. OJQ-të e tilla duhet t’i mbajnë mend, sepse nuk kanë qenë moti, se shqiptarët e vetëm në protestat e organizuara gjatë vitit 2015 dhe më vonë nëpër rrugët e Shkupit ishin pikërisht eksponentët e lartë të Lëvizjes BESA, madje vet kryetari aktual, Afrim Gashi. Nëse dikujt nuk i kujtohet, mjafton t’i shfletojë fotografitë e atyre pamjeve. Përveç kësaj, para pak ditësh vet Kryeministri e tha se regjimi i kaluar, në luftën për eliminimin e forcave opozitare, përveç LSDM-së, e kishte edhe Lëvizjen BESA.
Prandaj, ne jemi të bindur se nuk ka nevojë për kurrfarë paniku, sepse ata ose nuk janë mirë të informuar për BESËN ose informacionet që i kanë janë sajesa të kundërshtarëve tanë politikë, që ia kanë dalë për mrekulli ta bëjnë demonizimin e Lëvizjes BESA në sy të tyre.
Sidoqoftë, Lëvizja BESA – duke rikujtuar se postet e ministrave janë funksione politike – mbetet e hapur për dialog me të gjithë faktorët politikë dhe joqeveritarë në vend për të bashkëbiseduar dhe komunikuar, ndërsa ministri i Kulturës nga radhët e BESËS do të jetë pikërisht fryma e re shqiptare që kemi synuar ta sjellim në skenë pas rënies së regjimit. Ai do të jetë i gatshëm t’i dëgjojë të gjitha propozimet, ankesat, sugjerimet dhe kritikat e opinionit publik, pavarësisht përkatësisë etnike, gjithë kjo me qëllim që të prodhojmë vlera të njëmendta kulturore për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe vendit në përgjithësi