Pas dorëzimit të mandatit nga ana e presidentit Ivanov, Lëvizja BESA konsideron se më në fund po hapet rruga për zgjidhjen e krizës. “Sot, kur z. Ivanov e dorëzoi mandatin për të filluar bisedimet për formimin e Qeverisë së ardhshme, Lëvizja BESA konstaton se – edhe falë angazhimit të saj, më në fund po hapet rruga për mundësinë e zgjidhjes së kësaj krize. Sot erdhi në shprehje vullneti i shumicës së re në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe faktori politik filloi të reflektojë në interes të qytetarëve që janë lodhur nga kjo letargji e krizës politike. Me këtë rast, Lëvizja BESA thekson se ajo nuk lejoi që të shpiken gjëra të paparapara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke penguar kështu krijimin e presedaneve që mund të linin pasoja edhe në të ardhmen. Prandaj, ashtu si deri më tash, Lëvizja BESA mbetet e përkushtuar në procesin e zgjidhjes së krizës, duke zhvilluar bisedime për të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë politike”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes BESA.