Lëvizja BESA përmes një kumtese për media bëri të ditur se e mbështet protestën e nesërme për procesin gjyqësor ndaj vrasësit të vogëlushit kumanovar, Almir Aliu. “Duke ndjekur me vëmendje procesin gjyqësor kundër vrasësit të djaloshit Almir Aliu nga Kumanova, Lëvizja BESA konstaton se ky rast është një test për drejtësinë në kushtet e reja në Maqedoni. Nëse edhe kjo drejtësi vepron me dy standarde dhe për shqiptarët vazhdon të mbetet njerkë, atëherë i bie të konkludojmë se beteja jonë për shtet të së drejtës dhe kundër regjimit paska qenë e kotë”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA. Lëvizja Besa, siç shtohet më tej në kumtesë, u bën thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë që ta mbështesin këtë protestë dhe të dëshmojnë se në cilën anë janë në kohën kur gatuhet vrasja e dytë për Almir Aliun.