Shkup, 9 janar – Lëvizja Anti Bixhoz, edhe një herë i ka bërë thirrje qeverisë, ministrit të financave, anëtarëve të Komisionit për sjelljen e ligjit, që të veprojnë në interes të popullatës para se ta sjellin ligjin për lojërat e fatit dhe të përfshihen kërkesat e kësaj lëvizje që të gjithë lojërat e fatit të jenë 3 km larg nga institucionet publike.
Sipas tyre, në rast të sjelljes së ligjit pa ndryshimet që mbrojnë interesin e përgjithshëm, përgjegjësia do t’i takojë vetëm atyre që do të votojnë.
“Ju rikujtojmë që ligji në fjalë duhet të mbrojë interesin e atyre që ju sollën këtu të shërbeni për të mirën e qytetarëve. Fajin e mëtutjeshëm nuk do ta bartë kush tjetër pos 120 votave tuaja, nëse sillet ligj në dëm të popullit që doli në protestë dhe shprehu revoltën për këtë çështje. Nëse eventualisht e lini në parëndësi këtë çështje dhe vjen një ligj kundër interesit shoqëror, atëherë do të llogariteni si mbështetësit më të mëdhenj që luajnë me fatin e qytetarëve të pashpresë. Për çdo dështim të kësaj çështje me siguri se përgjegjësia bie direkt mbi ju!”, ka deklaruar Jushi Emurrllai nga Lëvizja Anti Bixhoz.
Deklaratën e kryeministrit, Zoran Zaev, javë më parë, lidhur me sjelljen e Ligjit për lojërat e fatit dhe mbetjen e 6000 qytetarëve pa punë, nga Lëvizjes Anti Bixhoz e cilësojnë si deklaratë të pamenduar mirë dhe joserioze. Parlamenti i Maqedonisë pritet që të votojë Ligjin për lojërat e fatit brenda 10 ditëve të ardhshme.