Kërkojmë që Zaevi dhe Sheqerinska të jenë të ndërgjegjshëm rreth kësaj dukurie. Ne në asnjë rast nuk kemi kërkuar mbylljen e bastoreve, kazinove apo lojërave të fatit. Ne kemi kërkuar dislokim, ta kenë të qartë se ne kërkojmë atë 3 kilometërshin distancë dhe nuk jemi përgjegjës për humbjet e vendeve të punës”, tha Emërllahu, duke shtuar se deri tani, qëndrimi i LSDM-së dallon nga qëndrimet e partive tjera
Urim HASIPI
Tetovë, 31 janar – Lëvizja Anti-Bixhoz është shprehur se pas takimeve që ka realizuar me pesë liderët e partive politike shqiptare, ka marrë mbështetje të parezervë prej tyre që të përkrahet kërkesa kryesore që është distanca e lojërave të fatit 3 kilometra larg vendbanimeve dhe institucioneve. Jushi Emërllahu, thotë se liderët shqiptarë janë zotuar se kërkesa e tyre do të përkrahet, shkruan gazeta KOHA.
“Të gjitha liderët janë pajtuar se kemi të bëjmë me një virus shumë të keq dhe janë zotuar se në Parlamentin e Maqedonisë do të mundohen me çdo kusht që të ndalet kjo e keqe. Pavarësisht se nuk ka disponim te pala maqedonase, megjithatë ky Ligj pa votën e deputetëve shqiptarë nuk do të kalojë”, tha Emërllahu. Sipas tij, disponimi i liderëve shqiptarë është të përkrahet kërkesa e tyre dhe të jetë pjesë e Ligjit diskolimi i lojërave të fatit 3 kilometra nga vendbanimet. “Disponimi i partive politike shqiptare është shumë fisnik dhe i drejtë. Të gjitha partitë politike, kanë dhënë të njëjtin premtim se nëse ky Ligj nuk përfshinë kërkesën e tyre bazë, atëherë nuk do të përkrahin ligjin e propozuar. Ata janë thirrur në atë se nga ky popull janë votuar, nga ky popull kanë marrë votën dhe këtij populli duhet t`ia zgjidhin problemet”, sqaroi ai. Megjithatë, deri më tash takim nuk është realizuar takim edhe me krerët e dy partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski.
“Kemi rënë në kontakt edhe me Mickoskin edhe me Zaevin, ku presim takim në çdo moment. Kanë paralajmëruar se do të ndodh takimi, por ende nuk kemi informatë të saktë për vendin dhe kohën. Këto kërkesa do t’ua shpalosim edhe atyre, megjithëse janë të njoftuar se kërkesat tona janë publike. Kërkojmë që Zaevi dhe Sheqerinska të jenë të ndërgjegjshëm rreth kësaj dukurie. Ne në asnjë rast nuk kemi kërkuar mbylljen e bastoreve, kazinove apo lojërave të fatit. Ne kemi kërkuar dislokim, ta kenë të qartë se ne kërkojmë atë 3 kilometërshin distancë dhe nuk jemi përgjegjës për humbjet e vendeve të punës”, tha Emërllahu, duke shtuar se deri tani, qëndrimi i LSDM-së dallon nga qëndrimet e partive tjera.
Në ndërkohë, pritet që gjatë muajve në vijim, të fillojë debati në Komisionin amë për sjelljen e ligjit për lojërat e fatit, pasi i njëjti tashmë ka kaluar në lexim të dytë. Nga Lëvizja Antibixhoz deklarojnë se qëllimi final është që kazinotë dhe bastoret t’i kemi jashtë qytetit, jashtë institucioneve edukative, arsimore dhe fetare, pasi vendin e nuk kanë brenda qytetit dhe në afërsi të këtyre institucioneve. (koha.mk)