Shkup, 28 tetor – Ekipi i Futsal Shkupit ka mësuar kundërshtarin e raundit të parë para-eliminator në Ligën e Kampionëve. Do të jetë skuadra “Blue Magic FC Dublin” nga Irlanda që do të luaj ndaj ekipit shkupjan në ndeshjen e parë para-eliminatore, takim që do të zhvillohet gjatë periudhës 24-29 nëntor, ndërsa futsal Shkupi do të jetë nikoqire. Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vite, faza para-eliminatore e Ligës së Kampionëve në futsall nuk do të luhet në formë turneu në një vend të caktuar për shkak pandemisë Covid 19.
Pas shortit në Nion të Zvicrës, ka folur edhe koordinatori i klubit të futsal Shkupit Mensur Fazlilja i cili theksoi se janë të kënaqur nga shorti.
“Sinqerisht jemi të kënaqur nga ky short, kur kemi parasysh se mund të kishim për kundërshtarë edhe një skuadër franceze, pjesë e së cilës është edhe lojtari më i mirë në planet, Rikardinjo. Për më tepër shorti na buzëqeshi neve, pasi do luajmë si nikoqir, gjë kjo që na jep përparësi edhe më shumë. Mëkat do të jetë që këtë ndeshje me shumë gjasa do ta zhvillojmë pa praninë e tifozëve, për shkak pandemisë ‘Covid 19’”, theksoi Fazlija, përcjellë koha.mk.
Zoran Leveski, një ndër lojtarët me eksperiencë shumë të madhe edhe në ndeshjet ndërkombëtare, për faqen zyrtare të Futsal Shkupit, ka folur lidhur me shortin e hedhur në Nion.
“Në përgjithësi duhet të jemi të kënaqur me emrin e kundërshtarit, duke pasur parasysh se çfarë kundërshtarë tjerë ishin në lojë. Mendoj se jemi favoritë përballë kampionëve të Irlandës “Blue Magic FC Dublin”, mirëpo duke pasur parasysh se jemi në një kohe pandemie, nuk dihet asgjë deri në fund. Ashtu siç po shohim në cilin do sport në këtë periudhë po ndodhë që mos të kenë mundësi të luajnë gjithë lojtarët për shkak testeve pozitive. Në rast se do jemi e gjithë skuadra në rregull, nuk do kemi raste të tilla, mendoj se nuk do e kemi problem të kualifikohemi në mesin e 32 skuadrave më të mira në Evropë”, theksoi Leveski, duke shtuar se ekipi ka kohë një muaj për të përgatitur këtë ndeshje, ku dhe beson se do të jenë ata që do të kalojnë në fazën tjetër. “Neve na mbetet edhe një muaj deri te kjo ndeshje, dhe para së gjithash do doja që të gjithë lojtarët të kemi shëndetin e plotë deri atëherë, dhe mendoj se do ti gëzojmë të gjitha tifozët e Futsal Shkupit, dhe gjithë futsalin në Maqedoni”, deklaroi Zoran Leveski, përcjellë koha.mk.