Ndarja e fondeve nga arka shtetërore vetëm për diasporën maqedonase është kundërshtuar ashpër nga opozita shqiptare dhe përfaqësuesit e diasporës shqiptare. Ndërsa veprimet e këtij lloji sipas tyre, janë skajshmërisht të pa përgjegjshme dhe antikushtetuese
Destan JONUZI
Shkup, 7 shkurt – Në Maqedoni, assesi të ndryshojë qasja e diskriminimit etnik me ndarjen e parave nga arka shtetërore. Së fundmi, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka shpallur një thirrje publike për financimin e ideve dhe projekteve të shoqatave, organizatave dhe personave fizik nga diaspora, shkruan gazeta KOHA.
“MPJ e Maqedonisë iu bën thirrje të gjitha shoqatave, organizatave dhe personave fizik të interesuar, të cilët janë nga komuniteti i diasporës, që të parashtrojnë ide dhe iniciativa me interes për to”, thuhet midis tjerash në thirrjen publike. Në thirrje theksohet se para do të ndahen për projekte të cilat do ta promovojnë gjuhën maqedonase, traditën dhe kulturën, hapjen e pikave ku do të kultivohet kultura maqedonase në vendet ku janë të koncentruar më shumë maqedonas. Duke u bazuar në këtë thirrje, qartë vërehet diskriminimi që po i bëhet diasporës shqiptare, sepse shihet qartë se janë paraparë mjete nga arka e shtetit vetëm për kulturën dhe traditën e maqedonasve në diasporë.
Memedali Ahmedi, kryetar i shoqatës ‘Makoxal’ nga Namuri i Belgjikës në një prononcim për gazetën KOHA thotë se kjo qasje e MPJ nuk është koncept i një shoqërie dhe se shihet qartë se ende ka tendenca të ndarjeve etnike.
“Kjo qasje nuk është në frymën e konceptit të ‘një shoqërie për të gjithë’ dhe se qartë shihet tendenca e ndarjeve etnike, në maqedonas dhe të tjerë. Të shpresojmë se dalëngadalë njerëzit /administrata do filloj të ballafaqohet me realitetin e ri të Maqedonisë së Veriut, ku të gjithë janë qytetarë të shtetit të ri, askush më me pak, e askush me më shumë të drejta”, thekson Ahmedi. Lidhur me këtë skandal, të ashpër në reagimet e tyre kanë qenë edhe partitë opozitare shqiptare. Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës theksojnë se diaspora shqiptare gjithmonë ka qenë e diskriminuar nga MPJ e Maqedonisë dhe nga vetë Qeveria.
“Mërgata jonë të gjitha organizimet kulturore-artistike, i ka bërë me vetëfinansim, madje ka ndihmuar edhe organizime te ndryshme të shqiptarëve në Maqedoni, afarist të ndryshëm nga mërgata shqiptare kanë sponsoruar aktivitete të ndryshme kulturore, sportive, të cilat vetë shteti nuk i ka bërë. Është përgjegjësi e Qeverise dhe e BDI, që për sa vite pushtet, nuk po gjen mundësi që ti faktorizojë kuadrot shqiptar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ç’rast do ti afronte shqiptarët e diasporës me Qeverinë e Maqedonisë nëpërmjet MPJ”, deklaroi për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së. Nga kjo parti thonë se është koha tani pas ndryshimeve Kushtetuese, ku tani më Qeveria obligohet të mbaj llogari dhe të angazhohet edhe për diasporën shqiptare të Maqedonisë, duke iu nda mjete buxhetore për nevojat e tyre, ne arsim për shkolla në gjuhën shqipe, për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare gjuhësore, aktivitete te ndryshme kulturore etj
“Veprime të këtij lloji nga MPJ janë skajshmërish të pa përgjegjshme dhe antikushtetuese. Një nga arsyet që kemi insistuar në ndryshimet kushtetuese që diaspora të specifikohet konform realitetit shoqëror të vendit, ka qenë edhe arsyeja që mos të lejohen interpretime individuale nga institucione të caktuara si në rastin konkret MPJ. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të korrigjojnë këto lëshime që implikojnë në krijimin e kohezionit ndër etnik në vend”, deklaroi për gazetën KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i Lëvizjes BESA. Nga ana tjetër, partitë në pushtet gjatë ditës së mërkurën ishin në euforinë e nënshkrimit të Protokollit për anëtarësim në NATO dhe se do të shqyrtojnë të gjitha vërejtjet që mund të dalin, jo vetëm nga kjo thirrje publike por edhe për politikat qeveritare që kanë të bëjnë me diasporën. (koha.mk)