Nga Shoqata e të sëmurëve nga leukemia kronike mieloide thonë se në Maqedoni, sot ka mbi 130 të sëmurë nga leukemia, kurse rreth 30 për qind e tyre janë pa terapi të nevojshme, me tendencë që kjo përqindje të rritet për çdo vit.
Delvina KËRLUKU
Shkup, 5 tetor – Pacientët të cilët viteve të kaluara me shpenzime të Fondit për Sigurim Shëndetësor janë mjekuar në qendra të huaja evropiane për transplantim, tani këtë mund ta bëjnë në kuadër të Klinës Universitare për Hematologji në Shkup. Mirëpo, pavarësisht se konsiderohet faqe e re në historinë e hematologjisë së Maqedonisë si edhe hap i rëndësishëm përpara për shëndetësinë publike në tërësi, megjithatë, ky shërbim nuk është për çdonjërin, shkruan gazeta KOHA. Një banor i fshatit Boshticë në Komunën e Zhupës thotë për gazetën KOHA se bashkëshortja e tij vuan nga sëmundja akute – leukemia limfoblastike. Asaj i nevojitet në mënyrë urgjente transplant i qelizave burimore, por në pamundësi që e gjitha kjo të bëhet në Maqedoni, është e nevojshme e njëjta të realizohet në Gjermani, në vlerë prej 250.000 euro.
Bashkëshorti i saj (Elmini) edhe pse i është drejtuar Klinikës së Hematologjisë, në Shkup, nuk ka gjetur rrugëzgjidheje dhe ka kërkuar ndihmë nga familjarët, miqtë, njerëz human dhe kompaninë e ndryshme.
“Nuk më dhanë mundësinë, që bashkëshortja të bëjë transplatimin e qelizave amë në Shkup. Fondi nuk jep ndihmë, sepse kërkon vlerësimi dhe mendimin e komisionit mjekësor në kuadër të FSSHM-së, ndërkohë që na është refuzuar dhënia e këtij vlerësimi dhe mendimi”, thotë Elmin Shahinoski, për gazetën KOHA.
“Pasi nuk gjetëm, ‘derman’ këtu, vendosëm të shkojmë në Gjermani, me financa familjare dhe njerëzve human, dhe të kthehemi sërish në Maqedoni pas diagnostifikimit të sëmundjes bashkë me caktimin e terapisë. Por sërish u zhgënjyem, sepse mjekët e këtushëm nuk e trajtuan fare pacienten dhe për pasojë u detyruam sërish të kthemi në Gjermani, ku dhe u konstatua se sëmundja përsëri i është kthyer”, thotë Shahinoski.
Trajtimi i leukemisë në Maqedoni po përcillet me probleme të shumta, edhe për faktin se mungojnë ilaçet e reja në listën pozitive. Këtë për gazetën tonë e konfirmoi edhe kryetari i Shoqatës së të sëmurëve nga leukemia kronike, Pepo Levi. Ka shumë pacientë që vuajnë me vite nga kjo sëmundje dhe ata për shkak të ardhurave të ulta nuk mund të përballojnë koston e kurimit. Madje ka raste që për një ilaç nevojiten katër vite që të sigurohet.
Robert Bekirovski, drejtori i Agjencisë për barna dhe pajisje medicinale MALMED, theksoi se qasja deri të barnat për këtë grup të njerëzve do të jetë në nivelin më të lartë. Por nga Shoqata e të sëmurëve nga leukemia kronike mieloide thonë se në Maqedoni sot ka mbi 130 të sëmurë nga leukemia, kurse rreth 30 për qind e tyre janë pa terapi të nevojshme, me tendencë që kjo përqindje të rritet për çdo vit. (koha.mk)