Letra sekrete e kryeministrit slloven për BE-në: Ky është plani për ndryshimin e kufijve – Kosova bashkohet me Shqipërinë

429

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhja e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimi i një shteti funksional boshnjak.

Ky është plani për zgjidhjen përfundimtare të problemeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që zbulohet me një letër që një media sllovene e ka botuar, duke aluduar që të njëjtën kryeministri slloven Janez Jansa e ka dërguar te Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

Media sllovene Necenzurirano.si, që është një medium slloven hulumtues që ka filluar publikimet online në shkurt të vitit të kaluar e ka publikuar letrën e plotë edhe në gjuhën angleze.

Deri më tani vetë kryeministri slloven nuk është deklaruar rreth vërtetësisë së letrës.

Në letër, shkurtimisht, por në hapa konkret, tregohet se cili është plani, arsyet për realizimin e planit dhe pikat nëpër të cilat duhet të kalojë implementimi i tij.

Sipas letrës, disa nga pikët tashmë janë në rrugë e sipër për t’u realizuar dhe për konkretizimin e planit janë të informuar faktorë rajonalë e ndërkombëtarë.

Në pjesën e dokumentet të titulluar si “Zgjidhja” thuhet se gjithçka do të zgjidhej në gjashtë pika.

Pika e parë është “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”.

“Në Kosovë, 95 për qind e popullatës duan bashkim me kombin e tyre Shqipërinë. Situata është e njëjtë në Shqipëri. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë de fakto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës i është garantuar një status special (duke përcjellur modelin e Tyrolit Jugor)”, thekson letra.

“Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë”, përbën pikën e dytë në dokument.

“Çështja kombëtare e Serbisë mund të zgjidhet në një masë të madhe duke ia bashkuar një pjesë të madhe të Republika Srpskas Serbisë. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të pajtohet me bashkimin e Kosovës me Serbinë”.

Për Kroacinë ofrohen dy opsione.

“Çështja kombëtare e Kroacisë mund të zgjidhet: Duke ia bashkuar Kroacisë pjesët kroate të Bosnjës dhe Hercegovinës ose, duke iu garantuar një status special pjesës kroate të Bosnjës (modeli i Tirolit jugor)”

Sa u përket boshnajkëve “ata do të fitonin një shtet të pavarur funksional dhe do ta kontrollonin krejtësisht”.

“Një referendum është organizuar për njerëzit që të zgjedhin në mes të BE-së dhe jo-BE-së (Turqisë). Për momentin, një shumicë e boshnjakëve mbështet perspektivën evropiane, por nëse vazhdon ky kaos dhe rritja e influencës turke dhe islamit radikal,. Situatat drastikisht mund të kthehet në anën tjetër gjatë dekadës së ardhshme”.

Në gjithë këtë plan rol të rëndësishëm ka Bashkimi Evropian.

“BE-ja, në bashkëpunim me faktorë të tjerë regjionalë, si për shembull Iniciativa e Tri Deteve, lanson implementimin e një programi ekonomik për stabilizimin, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve energjetike në rajon, dhe rehabilitimin mjedisor (Komisioni Evropian veçse ka përgatitur pjesë të planit)”.

Pika e fundit do të ishte një “përshpejtim i negociatave për anëtarësim në BE dhe NATO, pas ratifikimit të të gjitha vendimeve bilaterale të nevojshme në rajon”.

Për këtë plan janë dhënë edhe hapet konkret në të njëjtin dokument.

Madje, shënuar në kllapa, disa prej këtyre hapave tashmë veç janë në implementim e sipër.

“Në një procedurë të heshtur, mundësitë për implementimin e këtij plani janë kontrolluar me vendim-marrës rajonalë (procedurë në rrugë e sipër). Në një procedurë të heshtur, mbështetje për planin është marrë nga vendim-marrësit në komunitetin ndërkombëtar (procedurë në rrugë e sipër)”, janë dy hapat e parë.

“Një program për komunikimin dhe prezantimin e planit te qytetarët, duke marrë parasysh ambientet e ndryshme në pjesë të ndryshme të regjionit, tashmë është përgatitur. Nëse BE-ja, SHBA-të dhe shumica e vendim-marrësve regjionalë pajtohen me këtë plan dhe hapat për implementimin e tij, BE-ja e merr iniciativën dhe e formalizon atë”, përbëjnë hapin tre dhe katër.

“Një proces i komunikimit që targeton të gjitha grupet tashmë është lansuar. Të gjitha procedurat e kërkuara bilaterale për implementimin e planit, të cilat janë të sinkronizuar dhe finalizuar edhe me terme legalë, janë vënë në lëvizje sipas një logjike të vazhdimësisë”, përfundon dokumenti.

Janez Janša, kryeministri i Sllovenisë

Në pjesën hyrëse të dokumentit është dhënë edhe shpjegimi se përse një zgjidhje e tillë do të ishte e vetmja që do të stabilizonte Ballkanin Perëndimor dhe do t’u jepet fund konflikteve mes tyre.

Për letrën e publikuar nga Necenzurirano.si nuk ka reaguar ende asnjë nga zyrtarët e përmendur, por as udhëheqës të shteteve të cilat përfshihen në këtë plan.

Dokumenti në gjuhën angleze i botuar nga mediumi slloven