I dashur vëlla,
të falënderoj për letrën dhe për paret.
Kam shumë gjëra për të thënë, por e ndiej se është krejt e kotë. Shpresoj që ata të firmës të të kenë me sy të mirë si edhe më parë.
Më shkruaje që jeton në mirëkuptim me gruan, gëzohem shumë, veçse jeta ka anët e mira, por ka edhe anët e errëta. Është e vërtetë që të rrisësh një fëmijë duke banuar në katin e katërt nuk është punë e lehtë as për ty, as për Jo-në .
Derisa s’ka telashe, e kjo është më e rëndësishmja, unë do të përqendrohem në gjëra më pak të rëndësishme. Ta jap fjalën, para se të takohemi e të flasim ngeshëm, kemi edhe shumë punë për të bërë. Kjo është krejt çka mund të them dhe po të shkruaj se kam pak frikë, të cilën nuk mund ta fsheh. S’di çka të them më shumë.
Piktorët e tjerë, çfarëdo që të thonë për ta, mbajnë njëfarë distance nga diskutimet mbi tregun e sotëm. Paj, e vërteta është se ne nuk mund të themi diçka tjetër që s’e kanë thënë pikturat tona.
Por prapë, vëllai im i dashur, edhe më parë të kam thënë dhe po ta përsëris me tërë seriozitetin se kurrë nuk të kam konsideruar dhe nuk të konsideroj tregtar të rëndomtë tablosh. Përmes meje ti ke marrë pjesë në krijimin e sa e sa tablove, të cilat edhe në shtrëngatë e ruajnë qetësinë.
Ne ato i kemi bërë, e kjo është kryesorja dhe unë nuk rrija dot pa ta theksuar këtë në këto çaste krizash, në një kohë kur deri sa s’mban janë të tendosura marrëdhëniet ndërmjet tregtarëve të tablove dhe piktorëve që kanë vdekur dhe të atyre që janë gjallë.
E, pra, për punën time unë kam rrezikuar jetën, dhe gjysma e trurit më ka lënë – s’kam çka bëj – por ti, me sa di unë, nuk bën pjesë në kategorinë e tregtarëve të rëndomtë, di të marrësh në mbrojtje drejtësinë, di t’i bësh punët kurdoherë me njerëzillëk, por se mos i intereson kujt kjo?