Evis HALILI
Shkup, 8 prill – Në vitet 40-të të shekullit të kaluar “Pipi çorapegjata” nuk ishte thjesht një libër për fëmijë dhe disa vjet më vonë një film seria kult që do të mbante të gozhduar përpara ekranit fëmijë nga e gjithë bota. Ishte një libër revolucionar për vetë mentalitetin e shoqërisë suedeze të asaj kohe, por i tillë mbetet edhe sot për shumë vende të tjera. Kështu pohon Johan Palmberg, stërnipi i autores Astrid Lindgren, i ftuar në Panairin e Librit, në një panel diskutimi për letërsinë bashkëkohore për fëmijë, shkruan gazeta KOHA. Sesa dhe si shkruhet për fëmijë, sa i kushtohet rëndësi kësaj letërsie, tregon trajtimin që ne kemi për këtë brez dhe respektimin e të drejtat dhe lirive të tyre, që duhet të jenë njësoj si të të rriturve, thotë Palmberg.
“Nëse ka diçka që është specifike në librat e shkruar prej saj dhe që do të doja ta veçoja ndoshta është mënyra sesi ajo i respektonte fëmijët si individualitete dhe që reflekton në të gjithë veprat e shkuara prej saj. Ajo tregoi se letërsia për fëmijë nuk ka nevojë për të biseduar me lexuesit e saj, dhe se ajo nuk duhet të përpiqet për t’i mësuar lexuesit. Ajo duhet, ashtu si vetë ajo e bëri, thjesht të jetë e mirë. Kjo ishte revolucionare në Suedinë e viti vitit 1940, dhe ajo ende është në disa vende”, thotë Palmberg. Në diskutimin e organizuar nga Ambasada e Suedisë u bë një krahasim edhe me letërsinë për fëmijë në Maqedoni dhe zhvillimin e saj. Sipas autores për fëmijë Biljana Cërvenkovska letërsia për fëmijë në Maqedoni po vdes. Numri i shkrimtarëve që shkruajnë është shumë i vogël, edhe pse interesimi për të është më i madh sesa ai i librave për të rritur.
“Letërsia për fëmijë mbi të gjitha duhet të jetë argëtuese dhe të dalë natyrshëm nga autori. Unë shkruaj për fëmijën që gjendet brenda meje dhe kam filluar të shkruaj sepse nuk doja të rritesha, por të mbetesha fëmijë. Ato janë edhe lexuesit e mi, dhe kur vajza ime e lexon dhe e pëlqen atë ë kam shkrua e di që është një libër i mirë. Fatkeqësisht mund të them se për momentin kjo letërsi në Maqedoni po vdes. Ne nuk kemi dhe na duhen shkrimtarë të rinj dhe është e çuditshme që janë pikërisht këto libra për fëmijë që kanë më shumë blerës, por që askush nuk shkruan”, thotë Cërvenkovska. Panairi i Librit këtë vit i kishte kushtuar një rëndësi të madhe letërsisë për fëmijë, promovimit të librave, diskutimeve dhe aktiviteteve të ndryshme për fëmijë. Shtëpitë botuese shqiptare prezent në këtë panair nuk ishin pjesë e asnjë ngjarje për fëmijë, por as edhe në promovimin e letërsisë për fëmijë, e cila po kalon një periudhë “shterpësie”. Kështu e cilëson profesori Shefqet Zekolli mungesën e krijimeve të reja dhe cilësore për fëmijë, veçanërisht në Maqedoni. “Kjo ngecje prapa dhe kjo mungesë e krijuesve të rinj, jo se mund të thuhet me ndonjë siguri të madhe, konsideroj është rezultat i zhvillimeve të gjithmbarshme në arsimin tonë. Arsimtarët, posaçërisht të gjuhës dhe letërsisë shqipe, një numër mjaft i madh i tyre, në mënyrë tmerrësisht të lehtë, që mos të them abuzive po arrijnë deri te diplomat universitare, pa përgatitje paraprake dhe pa kurrfarë kulture nga fusha e letërsisë. Mungesa e kuadrove cilësor në arsimin fillor dhe të mesëm, gjithsesi reflektohet edhe në shkollimin e fëmijëve tanë. Problem më vete janë edhe programet mësimore, të ngarkuara me njësi krejtësisht të panevojshme të cilat shkojnë në dëm të fondit të orëve të letërsisë. Krijime letrare, të përzgjedhura pa kurrfarë kriteri, as artistik, as pedagogjik dhe as etik, gjejmë plot nëpër librat e letërsisë për nxënësit e shkollave fillore”, thotë Zekolli. Sipas tij arsyet se pse nuk shkruhet mund të lidhen edhe me vrapin galopant dhe grotesk drejt antivlerave dhe pasurimit të shpejtë, duke harruar kështu atë që është vlera më e madhe e gjithë njerëzimit dhe këta janë fëmijët. Zekolli shton se fëmijët mund të fisnikërohen e zhvillohen drejt, si qytetarë të botës edhe nëpërmjet një edukimi të mirë, nëpërmjet të letërsisë për fëmijë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara