Letër e një zotërie për mikun e tij në Edinburg

51

“Por unë kam një avantazh, që sulmuesit e mi nuk e kanë, atë të pafajësisë; dhe shpresoj që ta kem edhe një tjetër, atë që e vërteta të jetë në anën time. Po të jetonim në një vend njëmend të lirë, ndaj këso informatorëve dhe inkuizitorëve do të ndjehej neveri universale. Liria, së paku në filozofi, duhet të vlerësohet më së larti. Unë, Zotërinj, jam i përulur dhe në shërbimin tuaj”, përfundon letra e Hume-it me datë 8 maj, 1745

Në vitin 1744 filozofi më i madh britanik, ndoshta i të gjitha kohërave, David Hume, këshillohet prej kolegëve dhe miqve e tij që të aplikojë për pozitën e “Chair of Ethics” që do të lirohej prej John Pringle në Universitetin e Edinburgut. Kanditatët kryesorë për këtë pozitë ishin David Hume dhe William Cleghorn. Për shkak të shumë debateve dhe dyshimeve ndaj shkrimeve “skeptike” të Hume-it, kryesisht dhe parësisht nga figura më e rëndësishme akademike në Skoci, Francis Hutcheson, i cili shkrimet e Hume-it i shihte si goditje fatale ndaj religjionit, dhe me implikime të këqija ndaj moralit, nisi një fushatë tinëzare dhe e heshtur ndaj tij.

Në maj të vitit 1745, gjersa David Hume po punonte në rindërtimin e ideve filozofike të tij që i kishte publikuar në “Traktatin e Natyrës Njerëzore” (1739-40), ai kuptoi që, drejtori i Universitetit të Edinburg, William Wishart, po qarkullonte një pamflet kundër tij, dhe pikëpamjeve që i kishte shpalosur në traktat. Ky pamflet dashakeq ia pamundësoi të fitonte pozitën për profesor të Etikës në Universitetin e Edinburgut. Hume, përnjëherë nxitoi t’u përgjigjej pikë për pike secilës akuzë të përmbajtur në këtë pamflet kundër tij, dhe filloi të shkruante atë që në historinë e letrave të perëndimit njihet si “Letër e një zotërie për mikun e tij në Edinburg”.

Këtë letër e mori botuesi i Hume-it, Henry Home, dhe e futi në shtyp. Në këtë letër, Hume i përgjigjet akuzave të Wishart-it, drejtorit të universitetit, i cili pikëpamjet e Hume-it i shihte si kanibalizëm filozofik, dhe shkatërrimtare për moralin dhe religjionin. Megjithatë, kjo letër nuk pati efektin që synonte Hume, për t’i përgënjeshtruar kritikët dhe armiqtë e tij, dhe 12 prej 15 ministrave votuan kundër kandidaturës së Hume-it për në universitet. “Por unë kam një avantazh, që sulmuesit e mi nuk e kanë, atë të pafajësisë; dhe shpresoj që ta kem edhe një tjetër, atë që e vërteta të jetë në anën time. Po të jetonim në një vend njëmend të lirë, ndaj këso informatorëve dhe inkuizitorëve do të ndjehej neveri universale. Liria, së paku në filozofi, duhet të vlerësohet më së larti. Unë, Zotërinj, jam i përulur dhe në shërbimin tuaj”, përfundon letra e Hume-it me datë 8 maj, 1745.

Hume këtë ngjarje e quajti si pasojë të rrjetit të Drejtorit (Wishart), fanatizmit të klerit, dhe besueshmërisë së verbër të turmave. Gjithashtu kjo ndikoi edhe në aplikimin e tij, prapë të pasuksesshëm, për profesor filozofie në Universitetin e Glasgow-ut në vitin 1751.