Moskë, 2 dhjetor – Presidentët e Rusisë dhe të Kinës, Vladimir Putin dhe Si Xhinping, zyrtarisht e lëshuan në përdorim njërin prej gazpërçuesve më të gjatë në botë “Fuqia e Siberisë”, përmes të cilit, gazi natyror nga Rusia, do të dërgohet në Kinë.
“Hapja e gazpërçuesit ‘Fuqia e Siberisë’, e ka ngritur në nivel të lartë bashkëpunimin energjetik ruso-kinez”, tha Putini.
“Ky hap bashkëpunimin strategji-energjetik ruso-kinez e ngrit në nivel cilësor dhe na afron pranë detyrëes, të cilën e vendosëm me presidentin e Kinës, Si Xhinping, të arrijmë tregti bilaterale deri në 200 miliardë dollarë amerikan deri në vitin 2024”, tha Putini, në ceremoninë e hapjes.
Presidenti i Kinës, Xhinping, theksoi se gjëja e parë që duhet të bëhet është sigurimi i gazpërçuesit, ndërsa pastaj kujdesi ndaj mjedisit jetësor.
“Me rëndësi t’i kushtohet kujdes i posaçëm mbrojtjes së mjedisit jetësor, të mbahet llogari për eksploatimin e resurseve në interes të zhvillimit efikas energjetik, ekologjik, të gjelbër”, tha Xhinping.
“Fuqia e Siberisë”, është projekt i kompanisë ruse “Gazprom”, dhe kompanisë Kombëtare të naftës së Kinës. Përgjatë këtij gazpërçuesi prej 4 mijë kilometrave, në nivel vjetor do të mund të transportohen deri në 61 miliardë metër kub gaz natyror, përfshi 38 miliardë eksport për në Kinë.
Marrëveshja është nënshkruar për 30 vite, me vlerë të përgjithshme prej rreth 400 miliardë dollarëve amerikan. Ndërtimi i këtij gazpërçuesi ka zgjatur më tepër se pesë vite.