Në edicionin e ditës së enjte, L’Equipe rikthehet në prapaskenat e ndeshjes së PSG kundër FC Barcelona-s dhe hedh dyshime mbi plagët psikologjike të Thiago Silva. Javën e kaluar në Bordeaux kapiteni i kryeqytetasve pësoi një dëmtim muskulor dhe duhet të mungonte në supersfidën me Barça-n. Një mungesë që nuk ndikoi te PSG, pasi Presnel Kimpembe bëri një ndeshje brilante në mbrojtje, por shtron disa pyetje, për të mos thënë fantazi, brenda grupit parisien. “Është e vështirë të thuhet nëse është thjesht i dëmtuar pasi analizat mjekësore nuk kanë treguar shumë, dhe duket sikur nuk ka dashur të luajë,” shprehet një burim anonim i L’Equipe.
Burimi shton se më shumë se një dëmtim muskulor, Thiago Silva ka munguar për shkak të brishtësisë psikologjike që pas Kupës së Botës 2014, dhe thuhet se ka qenë i frikësuar nga treshja MSN. E vështirë për t’u besuar. Është më e arsyeshme të thuash se lojtari, i cili së fundmi ka rinovuar deri në 2020, thjesht nuk ishte 100% i rikuperuar dhe se stafi mjekësor nuk donte të rrezikonte. Por me siguri që do të ketë mbetur i zhgënjyer që nuk arriti të ishte gati për ndeshjen kundër Barcelona-s. PSG mundi bindshëm me rezultatin 4:0 spanjollët e drejtuar nga Luis Enrique me golat e Di Maria, Cavani dhe Draxler.