Në pyetjen nëse ndjen përgjegjësi për shkeljen e Ligjit për arsim fillor, e që parasheh mësim në gjuhën anëtare për secilin nxënës, Ademi tha se llogari si MASH dhe si ministër jep duke e zgjidhur tashmë skandalin me arsimin shqip në këtë anë të vendit
Delvina KËRLUKU
Shkup, 28 janar – Për ta arritur efikasitet më të madh, institucionet duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku të punojnë për tejkalimin e sfidave që paraqiten dhe që ndikojnë në realizimin e të drejtave të çdo individi, grupi, dhe në përgjithësi – të opinionit më të gjerë. Kështu u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi, pas takimit me kryetarin e Komunës së Velesit dhe kryetarin e Komunës së Çashkës, si dhe me nxënësit shqiptarë të këtij rajoni, të cilët në mungesë të shkollae shqipe, detyrohen të mësojnë në maqedonisht. Gjuha shqipe, tha ministri, do të rikthehet në shkollat e Velesit dhe Çashkës, ndërsa nxënësit e ciklit fillor do të kenë mundësinë të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, ndërkohë që paralajmëroi rindërtimin e shumë shkollave, si dhe ndërtimin e objekteve të reja shkollore për fshatrat Kllukovec dhe Banjicë. Ministri Ademi premtoi se po shqyrtohen edhe disa modalitet të cilët do të përfshihen në zgjidhjen përfundimtare të arsimit shqip në këtë pjesë të vendit.
Klukoveci në Veles, siç tha Ademi, është paraparë të ketë objekt të ri modern shkollor. “Po ashtu edhe në Komunën e Çashkës do të kemi investime në aspekt të infrastrukturës. Edhe pse kemi siguruar tashmë të gjitha mjetet e nevojshme për ndërtimin e një shkolle të re moderne në fshatin Banjicë të Çashkës, ne sot diskutuam edhe për modalitet tjera, prandaj shkolla në Banjicë është e siguruar me kusht që të diskutojmë këtë javë edhe për një modalitet tjetër edhe më të mirë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare sa i përket sfidave në arsim me të cilën ballafaqohen qytetarët e Komunës së Çashkës”, tha ministri Ademi. Në pyetjen nëse ndjen përgjegjësi për shkeljen e Ligjit për arsim fillor, e që parasheh mësim në gjuhën anëtare për secilin nxënës, Ademi tha se llogari si MASH dhe si ministër jep duke e zgjidhur tashmë skandalin me arsimin shqip në këtë anë të vendit.
“Ne japim llogari, për çdo hap, për çdo veprim tonin, të cilën e ndërmarrim në kuadër të ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe kjo qasje e llogaridhënies nga ana e ministrisë dhe nga unë personalisht si ministër, do të vazhdoj siç ka qenë në periudhën e kaluar. Pas informacioneve që u realizuan për këto problem, ne sot edhe bëmë takim, por ka disa çështje dhe tema që nuk janë plasuar akoma në mediume, ne tashmë i kemi adresuar dhe tani po bëjmë shkollë të re në fshatin Kllukollec të Velesit, meqë kjo çështje është ngritur në më shumë raste nga vetë mediumet dhe besoj se mënyra më e mirë e të dhënit llogari është përmes kësaj që e bëjmë dhe kjo duhet të bëhet me vepra e akte konkrete”, tha Ademi. “Mbështetja për fshatin Kllukovec që Qeveria të investoj për ndërtimin e një shkolle fillore të re ishe më se e nevojshme. Kushtet për zhvillim të mësimit janë të patolerueshme, sikurse ato të shekullit 19. Ne kemi kryer obligimin tonë dhe mbetet që Ministria ti kryej procedurat e tenderit”, u shpreh kryetari i Velesit, Ace Kocevski.
Në ndërkohë, premtime se nxënësit e fshatit Starigrad do të mësojnë në gjuhën shqipe, ka dhënë edhe kryetari i Çashkës, Goran Stojanovski. “Ka edhe disa mundësi, të cilat po i shqyrtojmë, por fillimisht do të kthehemi në komunë dhe të bisedojmë me banorët. Megjithatë, ju premtoj se këta nxënës të fshatit Starigrad do të gjejmë modalitet që të mësojnë në gjuhën e tyre amtare”, tha Stojanovski. Ndryshe, ditë më parë, TV21 raportoi se nxënësit shqiptarë të disa fshatrave të Velesit nuk dinë asnjë poezi në shqip, madje nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë në shqip. Librat dhe mësimi realizohej vetëm në maqedonisht.