Leonardo: Nuk po ka oferta për Neymarin

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Leonardo ka thënë se klubi ende nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete për Neymarin, përkundër thashethemeve të vazhdueshme për interesimin e madh të Barcelonës. Duke folur pas barazimit të PSG-së 1:1 në një ndeshje miqësore kundër Nuremburg të shtunën, Leonardo tha se asgjë nuk ka ndryshuar rreth situatës së Neymarit në dhjetë ditët e fundit, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

“Asgjë nuk ka ndryshuar, hiç fare. Nuk ka oferta konkrete për Neymarin. Ai ka kontratë me ne dhe është lojtari ynë”, tha Leonardo. “E përsëris, nuk ka oferta konkrete. Situata e njëjtë qëndron tash e dhjetë ditë”, shtoi ai.

Ndërkohë, trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel, tha pas lojës: “Kjo është çështje mes Neymarit dhe klubit. Ai do të stërvitë për herë të parë me ekipin nesër, sepse deri tani ka stërvitur i vetëm dhe do të vijë me ne në Kinë”.

Sky Sport në Gjermani raportoi të enjten se Barcelona i kishte ofruar PSG-së 100 milionë euro dhe dy futbollistë për Neymarin.