Banorët kërkojnë që Komuna e Tetovës së bashku me kontraktuesin e punëve, duhet të pastrojnë lumin, sepse të reshurat e fundit kanë rritur nivelin e ujit, duke marrë parasysh se hyjmë në sezonin e dimrit kur shtohet sasia e ujit në lumin Shkumbin
Urim HASIPI
Tetovë, 1 dhjetor – Rregullimi i mureve mbrojtëse të shtratit të lumit Shkumbin tek spitali i Tetovës është në përfundim e sipër. Krahas problemeve të shumta gjatë ndërtimit të mureve mbrojtëse në aspektin urbanistik, qytetarët e kësaj rrethine nuk e kanë të qartë se çka do të ndodh pas përfundimit të punëve dhe si do të duket konstruksioni infrastrukturor në këtë lagje. Pavarësisht kësaj, gjatë punëve që janë duke u kryer momentalisht në shtratin e Lumit, ku vërehet sasi e madhe rërës së nxjerrë, e cila nuk është larguar nga lumi por qëndron në mes dhe që shërben për devijimin e ujit, që punët të kryhen më lehtë. Por, banorët e lagjes Lenin janë shprehur se kanë frikë në këtë periudhë që të mos ketë reshje më të mëdha dhe do të shkaktonte përmbytje, shkruan gazeta KOHA.
“Tani paraqitet problemi i rrezikut të përmbytjes së kësaj lagje, për shkak se lumi është i stërmbushur me material të nxjerrë nga themelet për ndërtimin e murit dhe mbetje të tjera. Nëse ka reshje në sasi më të mëdha, me siguri se tërë këto mbetje do të përfundojnë në shtëpitë tona”, thotë Agoni, një banor në këtë lagje.
Banorët kërkojnë që Komuna e Tetovës së bashku me kontraktuesin e punëve duhet të pastrojnë lumin sepse të reshurat e fundit kanë rritur nivelin e ujit, duke marrë parasysh se hyjmë në sezonin e dimrit kur shtohet sasia e ujit në lumin Shkumbin. “Kjo paraqet rrezik jo vetëm për lagjen tonë por edhe për Spitalin klinik të Tetovës. Kjo u dëshmua edhe në vërshimet e vitit 2015 dhe 2017, kur kishte përmbytje edhe në Spital dhe u dëmtuan shumë aparate. Duhet që të përshpejtohen edhe punët për ndërtimin e murit mbi nivelin e tokës, sepse rrezikon banorët dhe veturat që qarkullojnë në atë pjesë. Ashtu si është ndërtuar muri mbrojtës në pjesën e rrugës sonë, edhe pse është paraparë shëtitore dhe rrugë për kalimin e veturave, aktualisht nuk shihet se është lënë hapësirë për këtë qëllim, dhe ne dyshojmë se në të ardhmen këtu do të ketë shëtitore dhe rrugë me parametra normale për një lagje”, pohojnë banorët.
Krahas kësaj, ata kërkojnë që është moment i fundit që Komuna e Tetovës dhe ndërmarrjet përgjegjëse të dalin para banorëve për t`ju sqaruar atyre planin përfundimtar se si do të duket në fund infrastruktura përreth lumit.
Nga Komuna kanë informuar se punët janë duke vazhduar për ndërtimin e mureve mbrojtës dhe brenda dy jave do të përfundojnë. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, kohë më parë ishte shprehur se muret ndërtohen për të mbrojtur banorët nga vërshimet. “Vazhdojnë punimet për ndërtimin e mureve të shtratit të lumit prapa Spitalit klinik të Tetovës në gjatësi prej 1000 metra në të dyja anët. Me këtë investim do të mundësohet edhe ndërtimi i trotuareve dhe vazhdimi i rrugës për qasje në objektin e ri të emergjencës. Shtrati i rregulluar i lumit po ashtu mbron shtëpitë dhe pronën e qytetarëve nga vërshimet e mundshme në të ardhmen”, kishte deklaruar kohë më parë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, lidhur me punët që janë duke u kryer në lumin Shkumbin. (koha.mk)