Zejnulla VESELI
Shkup, 6 janar – Viteve të fundit është bërë praktikë që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Maqedonisë në pamundësi për të gjetur mënyra të reja se si t’i kthejnë borxhet e vjetra, pasi që bankat nuk u lejojnë kredi të konsumit, posaçërisht ata të cilët tani më po ndiqen nga përmbaruesit, të lenë peng-garanci edhe gjëra të ndryshme që kanë vlerë. Më së shumti si garanci lihen celularë të shtrenjtë, kompjuterë, orë dore të shtrenjta, stoli të ndryshme të arit dhe vetura, shkruan gazeta KOHA. Gjatë vizitës që u bëmë disa dyqaneve të cilat janë në numër shumë të vogël në qytetin e Shkupit, shitësit deklaruan se interesi i qytetarëve për të lënë si garanci gjërat e tyre të vlefshme për të marrë sasi të konsiderueshme parash është rritur këto dy vitet e fundit. “Klientët janë të ndryshëm ka nga qytetarë të thjeshtë por ka edhe nga ata që kryejnë funksione të ndryshme shtetërore. Shumë nga këta klientë dëshirojnë të mbetet anonim. Ofrojnë mallra të ndryshme që kanë vlerë dhe kërkojnë një shumë të konsiderueshëm të hollash dhe premtoj t’i kthejnë në afat brenda një jave nëse bëhet fjalë për shuma të vogla apo një muaj e më shumë nëse bëhet fjalë për shuma më të mëdha”, thotë pronari një dyqani në qendër të qytetit. Sipas tij, vlera e mallit që lihet si garanci bëhet aty për aty në prezencë të klientit. “Për ta lënë mallin garanci nënshkruajmë kontratë dhe malli i lenë ruhet ne vende të posaçme nëpër kasaforta ndërsa veturat ruhen në garazhe. Nëse klienti i kthen të hollat e mara në kohë atëherë ia kthejmë mallin e lënë si garanci”, deklaroi pronari i dyqanit. Ndërkaq sa i përket asaj se sa paguajnë kamatë për paratë që i marrin derisa ata i kthejnë për ta marr mallin e lënë si garanci, pronari thotë se e gjithë kjo varet nga vlera e mallit dhe shumës që klientët e kërkojnë. “Për hua prej 6000 denarëve nuk ka kamatë nëse parat kthehen në afat prej 6 ditëve. Ndryshe, kamata për mallin e lënë si garanci përcaktohet nga vlera se sa para kërkohen dhe për sa kohë si dhe çfarë vlere ë ka malli që lihet si garanci. Mesatarisht vlera e parave që jepet është 60 për qind nga vlera e përcaktuar e mallit që lihet si garanci”, thotë pronari i dyqani i cili shton se ka nga ata klientë të cilit heqin dorë nga malli i lënë si garanci dhe nuk vijnë ta marrin. “Ka klientë të tillë që nuk vijnë ta marrin prapë mallin e lënë si garanci. Parat jepen vetëm me letër njoftim ndërsa kamata caktohet varësisht nga kushtet që jepen paratë. Nëse bëhet fjalë për shumë të vogël gjegjësisht nga 6000 denarë deri më 10 mijë denarë të cilat janë më të shpeshta për shkak se atyre u kërcënohen përmbaruesit, kamatat janë më të vogla. Kuptohet ka edhe nga ata klientë që kërkojnë shuma më të larta që në të shumtën e rasteve shkojnë mbi 1000 euro dhe për këto shuma kamata është 6 për qind në nivel mujor. Si garanci që më së shumti ofrojnë klientë janë stoli të ari për të cilët mund të marrin vlera më të shumta të arit që në të shumtën e rasteve marrin 90 për qind të parave nga vlera e caktuar e arrit”, thotë për fund pronari i dyqanit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.