Shkup, 1 gusht – Një person është lënduar rëndë në një nga gjithsej nëntë fatkeqësi rrugore gjatë ditës së djeshme në rajonin e SPB Shkup. Në pesë prej tyre pesë persona janë lënduar më lehtë, ndërsa në tre fatkeqësi rrugore është shkaktuar dëme material.
Nga MPB informojnë se dje policia rrugore ka zbuluar dhe përjashtuar nga komunikacioni 51 vozitës të cilët kanë lëvizur me shpejtësi më të madhe se e lejuara, pesë vozitës të cilët kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, 25 para se të fitojnë të drejtën e drejtimit të automjetit motorizues, një fillestar, si dhe 15 automjete të paregjistruara.
Janë sanksionuar edhe 10 vozitës të cilët kanë kaluar në dritë të kuqe, dy vozitës nuk kanë dhënë përparësi kalimi kalimtarëve në vendkalim për këmbësorë, 10 vozitës për mospëdorim të kapelës mbrojtëse, katër vozitës për mosmbajtje të rripit të sigurimit dhe 10 vozitës kanë shfrytëzuar telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit.
Gjashtë këmbësorë janë sanksionuar për kalim të rrugës jashtë vendit të caktuar.
Janë hasur edhe 78 automjete të parkuara në mënyrë jo të rregullt, ndërsa me automjetin e specializuar janë mënjanuar 54 automjete.