Mbrojtësi i Bayernit, Niklas Sule ka pësuar një lëndim të rëndë që pritet ta mbajë një kohë të gjatë jashtë fushës. Bayerni e ka konfirmuar se Sule ka këputur ligamentet në gjurin e majtë, dhe nesër do t’i nënshtrohet një operacioni, transmeton Koha.net, përcjellë gazeta Koha. Ai u lëndua në minutat e parë në barazimin prej 2 me 2 ndaj Augsburgut gjatë ndeshjes së djeshme.
“Diagnostifikimi është bërë pas ekzaminimit të shefit të stafit mjekësor të klubit Dr. Hans-Wilhelm Müller-Wohlfahrt. Sule të dielën do t’i nënshtrohet një operacioni për të riparuar dëmin”, thuhet në faqen zyrtare të klubit.
Kjo nuk është hera e parë që Sule ka pësuar një lëndim të tillë. Madje, ai kishte këputur të njëjtët ligament në vitin 2014 në fanellën e Hoffenheimit që e kishte mbajtur jashtë fushës për 203 ditë. Megjithatë, Bayerni nuk ka konfirmuar se sa pritet që Sule të mungojë. (koha.mk)