Lëndët gjyqësore, jo më “dorë më dorë”

Mbikëqyrja e AKMIS-it, sipas Ministrisë së Drejtësisë, në periudhën e kaluar është realizuar në tetë nga 16 gjykata ku pritet të monitorohet funksionimi i sistemit elektronik të shpërndarjes së lëndëve gjyqësore. Gjatë kësaj procedure, ekipet e Komisionit për mbikëqyrje kanë konstatuar një sërë lëshimesh, për të cilët nevojitet zgjidhje sistematike

Omer XHAFERI
Shkup, 20 qershor – Shpërndarja e lëndëve gjyqësor “dorë më dorë” i takon të kaluarës. Kështu thuhet në Raportin e Ministrisë së Drejtësisë që i dedikohet AKMIS-it. Gjykatat, mes tjerash, siç thuhet në këtë Raport, vazhdojnë ti pranojnë lëndët në mënyrë elektronike. Ndërkohë që edhe shkarkimi i gjykatësve nga ndonjë lëndë bëhet në bazë të procedurave ligjore, shkruan gazeta KOHA.
“Përjashtimi apo shkyçja e ndonjë gjykatësi nga AKMIS- bëhet me vendim të arsyetuar për shkak të mungesës së tij prej pesë ditësh. Raportet vjetore për sistemin e gjykatësve ndryshohen për shkak të nevojave organizative të gjykatës dhe zgjedhjeve, apo për arsye të pensionimit të gjykatësit, respektivisht delegimit të tij në ndonjë gjykatë tjetër. Lëndët në gjykatë shpërndahen vetëm njëherë brenda ditës edhe atë në ora 14:30, përderisa të njëjtat me urgjence shpërndahen menjëherë”, thuhet në Raportin e Ministrisë së Drejtësisë.

ZVOGËLOHET NUMRI I LËNDËVE
Mbikëqyrja e AKMIS-it, sipas Ministrisë së Drejtësisë, në periudhën e kaluar është realizuar në tetë nga 16 gjykata ku pritet të monitorohet funksionimi i sistemit elektronik të shpërndarjes së lëndëve gjyqësore. Gjatë kësaj procedure, ekipet e Komisionit për mbikëqyrje kanë konstatuar një sërë lëshimesh, për të cilët nevojitet zgjidhje sistematike.

“Një numër i caktuar i gjykatave kanë numër të madh të lëndëve të paarkivuara. Janë dhënë rekomandime deri te gjykatat dhe deri te gjykatat më të larta që urgjentisht të merren masa për tejkalimin e problemit të konstatuar. Njëherësh, kryetarët e disa gjykatave kanë miratuar plan për tejkalimin e këtij problemi dhe i njëjti është në fazën e realizimit. Po ashtu është konstatuar se gjykatat punojnë me mungesë të bashkëpunëtorëve profesionist dhe arkivuesve. Kjo zbrazëtirë propozohet të zgjidhet me zbatimin e Strategjisë për resurse njerëzore në gjykata, e cila në mënyrë precize duhet të planifikojë nevojat e nëpunësve gjyqësor në çdo gjykatë veç e veç”, thonë për KOHA nga Ministria e Drejtësisë.

Mes tjerash, kjo mbikëqyrje e AKMIS-sistemit dhe punës së gjykatave nga Ministria e Drejtësisë ka vërtetuar se nuk ekziston sistematizim real për nevojën e gjykatësve në gjykata. Analizat e realizuara nga rrjeti i gjykatave ka vërtetuar se gjykatat në Maqedoninë e Veriut kanë zvogëlim të numrit të lëndëve, me çka sipas Ministrisë, nevojitet revidimi i numrit të gjykatësve në gjykata.

Ndryshe, në këtë Raport theksohet se Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, shumë rrallë kryen kontroll mbi punën e gjykatave dhe shumë rrallë i viziton ato. Kësisoj, nga Ministria e Drejtësisë apelojnë që ky Këshill në mënyrë më aktiv të merr pjesë në punën e Gjykatave.

GJYKATAT PA PAJISJE INFORMATIKE
Gati çdo gjykatë në Maqedoninë e Veriut ka nevojë për përforcimin e kapaciteteve me pajisje të informatikës, për shkak të përmbushjes së obligimeve ligjore e që lidhen me skenimin e dokumentacionit hyrës dhe procedurave për sigurimin e rezerve të të dhënave.
“Përveç në Gjykatën Themelore të Kavadarit, asnjë gjykatë tjetër nuk kryen skenimin e plotë të dokumentacionit hyrës. Kjo ndodhë për arsye të mundësive të kufizuara teknike dhe mungesë e resurseve njerëzore. Po ashtu nevojitet edhe organizimi i vazhdueshëm i trajnimeve për sektorin e teknologjisë informatike për shfrytëzimin e kapaciteteve të AKMIS-it. Këshill gjyqësor buxhetor duhet në mënyrë të drejtë ti shpërndajë mjetet varësisht prej prioriteteve në gjykata”, thuhet në Raport. Ngarkesa e madhe me lëndët e pa arkivuara në gjykata, shpesh herë shkakton edhe pakënaqësi te nëpunësit gjyqësor.

Siç thuhet në Raportin e Ministrisë së Drejtësisë, në disa gjykata duhet të përforcohet disiplina brenda tyre, me qëllim tejkalimin e disa lëshimeve. Për këtë arsye nga Ministria e Drejtësisë, rekomandojmë që të bëhen trajnime më të shpeshta të shërbimeve profesionist të gjykatave. Ndryshe, analiza e Ministrisë së Drejtësisë ka konstatuar se Këshilli Gjyqësor duhet ta shqyrtoi efektin e delegimit të gjykatësve nga gjykatat më të mëdha, në gjykatat e Shkupit. Sipas tyre e patjetërsueshme është të bëhet strategji afatgjatë për numrin real të gjykatësve dhe mos krijimin e mungesave, respektivisht ngecjen e lëndëve në gjykata për shkak të mungesës së delegimeve në afat të gjatë. (koha.mk)