Ngjashëm si në GJPSH-ë, grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, i udhëhequr nga gjykatësit Llazar Nanev dhe Zoran Dimitrievski, ka konstatuar se në Gjykatën Supreme, gjatë kohës së kryetares Lidija Petrovska dhe atij aktual, Jovo Vangellovski, shumë procedura nuk kanë qenë të standardizuara
Omer XHAFERI
Shkup, 15 korrik – Sistemi elektronik i ndarjes së lëndëve në Gjykatën Penale të Shkupit (GJPSH) dhe Gjykatën Supreme, në masë të madhe nuk ka funksionar në formën e duhur. Ndonëse i vonuar, Ministria e Drejtësisë ditë më parë e publikoi Raportin e Grupit të punës, i cili gjatë vitit të kaluar realizoi kontroll mbi AKMIS-in në gjykatat e apostrofuara, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat e siguruara nga Grupi i punës i Ministrisë së Drejtësisë, kanë konstatuar se përveç në vitin 2013, në GJPSH, nuk është realizuar plan vjetor për menaxhimin dhe zvogëlimin e lëndëve të pazgjidhura. Për këtë arsye, siç thuhet në Raportin e AKMIS-sistemit, deri me 26 tetor të vitit të kaluar nuk janë zgjidhur rreth 860 lëndë. Gjatë takimit me Grupin e punës të Ministrisë së Drejtësisë, ushtruesi i detyrës së asaj kohe kur është realizuar kontrolli mbi “AKMISIN”, në GJPSH-ë, Stojançe Ribarev, ka pranuar se një numër i konsiderueshëm i lëndëve në këtë gjykatë janë ndarë “dorë më dorë”, respektivisht ai këtë mënyrë të punës e ka emërtuar si “AKMIS i dyfishtë”.
“Me 3 korrik të vitit të kaluar, u.d kryetar i GJPSH-së, Stojançe Ribarev, ka formuar grup pune për menaxhim të lëndëve në atë Gjykatë. Paraprakisht nuk ka ekzistuar një grup i tillë. Megjithatë edhe pasi Ribarev e ka formuar këtë lloj komisioni, nuk është përgatitur Plani vjetor për menaxhimin e lëndëve, dhe aq më pak janë miratuar procedurat e brendshme”, thuhet në Raportin e AKMISI-sistemit.
Shkelje tjetër e rëndë, të cilën e ka vërtetuar ekipi i Ministrisë së Drejtësisë, në GJPSH-ë, është mos respektimi i procedurës për miratimin e Sistematizimit vjetor të gjykatës, i cili gjatë asaj periudhe siç edhe dihet shpesh herë është ndryshuar. Si rezultat i këtyre shkeljeve është vërtetuar se lëndë të caktuar gjyqësore shpesh herë janë transferuar nga njëri te tjetri gjykatës përmes parimit “dorë më dorë”. Njëkohësisht, për këtë arsye është kufizuar edhe numri i gjykatës të cilëve në mënyre elektronike u janë dhënë lëndët. AKMIS-sistemi, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, nuk është shfrytëzuar as në ndarjen e lëndëve të gjykatës në procedurë paraprake apo të këshillave penale nga Sektori për krim të organizuar, ku janë parashtruar rastet e Prokurorisë Speciale Publike.
Ky grup i punës ka në Raportin e përgatitur dhe dorëzuar drejtuesve të Ministrisë së Drejtësisë, rekomandon që të merren masa për përforcimin e kontrollove. Parregullsitë dhe veprimet jo ligjore me “AKMIS”-sistem, në GJPSH-ë, po ashtu janë kryer edhe gjatë kohës kur me këtë gjykatës ka udhëhequr kryetari Vlladimir Pançevski dhe ushtruesi i detyrës, gjykatësja Tatjana Mihajllova.
Ngjashëm si në GJPSH-ë, grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, i udhëhequr nga gjykatësit Llazar Nanev dhe Zoran Dimitrievski, ka konstatuar se në Gjykatën Supreme, gjatë kohës së kryetares Lidija Petrovska dhe atij aktual, Jovo Vangellovski, shumë procedura nuk kanë qenë të standardizuara. Aq më pak siç thuhet në Raport, nuk ka qenë e avancuar procedura e “AKMIS”, në të gjitha gjykatat. Pas largimit të Nedellkovës nga kreu i Gjykatës Supreme, shpesh herë është ndryshuar sistematizimi i gjykatës në këtë gjykatë, me çka nuk është mbajt llogari për nivelin e specializimit të tyre. Kësisoj gjykatësit e sferës penale janë caktuar të shqyrtojnë lëndë civile apo në janë caktuar të procedojnë raste-lënda e të cilëve ka qenë e lidhur me kohën e miratimit të vendimeve dhe anasjelltas.
Sistematizimi i gjykatësve në Gjykatën e Lartë të Maqedonisë vetëm gjatë 2017 është ndryshuar nëntë herë radhazi, për të cilën kryetari i Këshillit Gjyqësor deklaron se nuk ka vërejtur asnjë veprim të kundërligjshëm në këtë gjykatë. Ndryshe, menjëherë pas përgatitjes së këtij raporti lëndë i është dorëzuar Prokurorisë Publike e cila deri më sot ende nuk është prononcuar për rrjedhën e hetimeve. (koha.mk)