Laura PAPRANIKU
Shkup, 14 janar – Fillimi i reformave të reja në arsim dhe që kanë për qëllim ndryshimin e situatës kaotike në të cilën gjendet për momentin i gjithë sistemi arsimor, nuk do të mund të realizohet në mënyrë edhe aq të pavarur, shkruan gazeta KOHA. Maqedonia, përveçse është nënshkruese e marrëveshjeve të shumta ndërkombëtare, në kuadër të zonës evropiane të arsimit ka hartuar paraprakisht edhe Strategji, të cilat ka marrë përsipër ti realizojë sipas dinamikës së paraparë. I këtillë është edhe dokumenti i Strategjisë për mësimin sipërmarrës për periudhën 2014-2020. Në kuadër të kësaj reforme, për të cilën Maqedonia bashkëpunoi me Fondacionin Evropian për Trajnim (ETF) është intervenuar deri në programet mësimore të thuajse komplet sistemit arsimor. Në arsimin fillor, sipërmarrësia është bërë pjesë integrale e disa lëndëve mësimore, të cilat kanë për qëllim të nxisin kureshtjen e nxënësve për këtë fushë dhe të pajisin me shkathtësitë përkatëse. Ndërkaq, në arsimin e mesëm – pesha e kësaj reforme është ngjitur deri në nivelin e lëndës së veçantë e cila mësohet si në gjimnaze – ashtu edhe në shkollat profesionale. Komponentët mësimore sigurisht që janë shumë më ambicioze në këtë fazë, të cilat normal se vijnë dhe rriten në arsimin universitar, si dhe në arsimin joformal. Kështu, pavarësisht paralajmërimeve për shkarkimin e kurrikulës mësimore nga lëndë të tepërta, mësimi i sipërmarrësisë vështirë se do të mund të shmangej nga programet mësimore. Të paktën jo deri në përfundim të 2020-ës, për kur Maqedonia ka marrë përsipër të zbatojë Strategjinë e hartuar prej saj para katër viteve. Ideja eventuale për të larguar mësimin e sipërmarrësisë nga programet mësimore, qofshin ato në formë të njësive brenda lëndëve të tjera apo në kuadër të lëndëve të veçanta, vështirësohet ende më shumë nëse marrin parasysh faktin se për zbatimin e Strategjisë janë të lidhura disa institucione. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) është institucioni bartës i asaj strategjie, por krahas saj – pjesë të përgjegjësive dhe obligimeve kanë edhe Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Odat ekonomike, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra për Arsim Profesional dhe Trajnim, e kështu me radhë. Maqedonia është një vend me përqindje të lartë të papunësisë, diku me rreth 30 për qind dhe me theks të veçantë tangon rininë, popullatën e zonave rurale, pjesëtarët e pakicat etnike dhe personat shkallë të ulët të arsimimit. Këtu del edhe sfida kryesore e vendit për krijimin e vendeve të punës. Pikërisht për këtë është sugjeruar edhe rritja e komponentëve të mësimit të sipërmarrjes në sistemin arsimor edhe atë që në nivele të hershme të shkollimit. Pasi besohet fortë se në këtë mënyrë mund të veprohet më mirë dhe më sigurt në krijimin e politikave për sipërmarrje, inovacion, ngritje të konkurrencës dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor me qëllim që vendi të mund t’ju përgjigjet sfidave në të ardhmen.
Në klasat më të larta të arsimit fillor është planifikuar që nxënësit të mësojnë për shkathtësitë që do të nevojiten për të ardhmen, si një proces i gjenerimit të ideve, vendimmarrjes dhe zgjidhjes se problemeve. Pra, një prej qëllimeve të arsimit fillor është të prezantojë përgjegjësitë që kanë nxënësit në komunitet dhe të nis me fillimin e aktiviteteve që do të përmirësojnë pjesët e ndryshme të jetës shkollore. Në këtë fazë, mësimi sipërmarrës do të zhvillojë për tek ta vetëbesimin, kreativitetin, shkathtësitë e punës në ekip, përgjegjësitë, durim dhe fleksibilitet, guxim për të shqyrtuar dhe eksperimentuar me gjëra të ndryshme, shkathtësi sociale, vetëdije për komunitetin lokal, si dhe shkathtësi për të përdorur lloje të ndryshme të teknologjive. Arsimi i mesëm si faza e dytë e procesit arsimor është një fushë tjetër primare për Strategjinë e
mësimit sipërmarrës në Maqedoni. Këtu nxënësit do të duhet të vazhdojnë të rrisin shkathtësitë e tyre sipërmarrëse dhe duhet të fillojnë të punojnë me projekte praktike nga dhënia e ideve deri në zbatimin e proceseve sipërmarrëse. Ata mund të zbatojnë projektet e tyre sipërmarrëse me ndihmën e shkollës se tyre ose të shoqatave relevante dhe OJQ-ve të ndryshme.
Pra, arsimi i mesëm ka për qëllim të sigurojë për nxënësit përvojë të “dorës së parë” për mundësitë e ndryshme dhe karrierës. Shkollat e mesme e kanë të obliguar me Ligj që të paraqesin domosdoshmërish aktivitete të kësaj fushe në programet veta zhvillimore dhe në programet vjetore të punës. Shkollat kanë deri zyra të posaçme që merren me administrimin e projekteve nga fusha e sipërmarrjes. (koha.mk)