Nijaz Lena synon të rikthejë formën e tij pas një pauze të shkurtër, pikërisht në kampionatin gjeorgjian, në kategorinë e dytë. Mesfushori nga Struga ka firmosur deri në dhjetor të këtij viti me FC Telavi, një ekip që synon ngjitjen në elitën e futbollit të këtij vendi. Për 32-vjeçarin kjo është një rinisje e karrierës, pas ndalesës së shkurtër që pati në muajt e parë të këtij viti.
Pas shpalljes kampion me Kukësin edicionin e kaluar, Lena u aktivizua edhe në Champions League me verilindorët, për të mbyllur aty aventurën në “Zeqir Ymeri”. Fillimi i sezonit e pa mesfushorin me fanellën e Teutës dhe shiritin e kapitenit në krah, por kriza e rezultateve dhe ndryshimi i kursit nga ana e drejtuesve sollën edhe divorcin e parakohshëm.
Gjatë merkatos së janarit nuk munguan ofertat për të, por në bazë të rregullave të UEFA-s, Lena e kishte të pamundur të luante në kampionatin shqiptar apo edhe në kampionatet e vendeve fqinje, për shkak se ishte aktivizuar me dy skuadra në të njëjtin sezon. E vetmja zgjidhje për Lenën ishte gjetja e një ekipi në kampionatet që nisnin në fillim të këtij viti. Kështu, FC Telavi është një mundësi për të rifilluar gjithçka nga e para pas pauzës 3-mujore, teksa objektivi mbetet rikthimi në kampionatin shqiptar sezonin e ardhshëm.