Sasho Mijallkov natën kur është arrestuar, ka qenë nikoqir i mbrëmjes së punës në hotelin Meriot, së bashku me tetë deputetët: Muckoski, Arnaudov, Vasilevski, Aleksandrova, Kançevska Milevska, Aviroviq, Ramçilloviq dhe Ismailoska Starova, shkruan portali Magazim.mk, transmeton koha.mk
Këtë për portalin e ka konfirmuar njëri prej deputetëve të pranishëm, duke insistuar në anonimitet. Tema e bisedimeve ka qenë propozim ligji për amnisti, të cilin këta deputetë po e përpilojnë së bashku me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së drejtësisë, por edhe në konsultim me ish ministrin e shëndetësisë, Nikolla Todorov, avokat i tanishëm i firmës “Kozhuvçanka”. Mendimi i këtij grupi të deputetëve ka qenë që ky propozim ligj të jetë me përfshirje sa më të gjerë, ndërsa sa i përket tajmingut kanë patur qëndrim të përbashkët që të kërkohen garanci të forta nga kryeministri Zaev se ligji do të votohet para dy të tretave të dyta për ndryshimet kushtetuese. Sipas burimit, Mijallkov i ka siguruar deputetët se është në kontakt të rregullt me vëllain e kryeministrit Zaev dhe se çka do që të merren vesh së bashku do të jetë e realizuar.
Por, për befasi të deputetëve, mbrëmja e punës është ndërprerë nga pjesëtarët e njësisë policore “Alfa”, të cilët kanë legjitimuar Sasho Mijallkovin dhe në mënyrë të rregullt dhe korrekte e kanë përcjellë deri te makina policore dhe prej aty në burgun e Shutkës. Më herët, deputetja Ismailoska Starova ka theksuar se arrestimet e Mile Janakievskit dhe Kiril Bozhinovskit i kupton si revanshizëm politik dhe se kjo nuk përmirëson klimën për pajtim ndërpartiak dhe nacional, transmeton koha.mk
Pas arrestimit të Mijallkovit, me vërejtje edhe më konkrete në lidhje me atë temë janë shprehur deputetet Elizabeta Kançevska Milevska dhe Emilija Aleksandrova. Kryesisht, Kançevska Milevska është shumë e afërt me Mijallkovin, ndërsa bashkëpunimi ka qenë edhe më i përafërt dhe i ngushtë në lidhje me punët ndërtimore të objekteve nga projekti “Shkupi 2014”. Emilija Aleksandrova nga ana tjetër është reja e kushëririt të Mijallkovit dhe ai personalisht është meritor që ajo ka qenë e punësuar në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim kur Mijallkov ishte drejtor i DSK. Aleksandrova dhe Kançeska Milevska kanë qenë kategorik, nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese në janar vitin e ardhshëm, nëse qeveria, Zaev dhe Talat Xhaferi nuk respektojnë marrëveshjen që është arritur me ndërmjetësim të Sasho Mijallkovit para votimit të parë më 19 tetor.
Një pjesë e marrëveshjes ka qenë amnistia për Mukoskin, Vasilevskin dhe Arnaudovin, rishqyrtim i vendimit gjyqësor për Vlladanka Aviroviq, lirimin e pronës së firmave të Sead Koçanit (shumë i afërt me deputetin Ramçilloviq), si dhe zvarritje të procesit “Tenderët”, në të cilin proces e dyshuara e parë është ish ministrja Kançeska Milevska. Pas arrestimit të Sasho Mijallkovit, grupi i ri i deputetëve ka qenë në dilemë serioze për kredibilitetin e marrëveshjes, ndërsa të dyja deputetet Aleksandrova dhe Kançevska Milevska ishin kategorike se nëse Mijallkov sulmohet nga qeveria, herën e ardhshme nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese.
Pa këto dy deputete, numri i deputetëve do të bije në 78, që është i pamjaftueshëm që me shumicën prej 2/3 të kalojnë ndryshimet kushtetuese. Si rezervë të artë Zaev e llogaritë deputetin Panço Minov që është shumë i afërt me pronarin e “Kozhuvçanka”, Mitko Jançev. Sido që të jetë, gjatë ditëve në vijim është caktuar mbledhja e komisionit parlamentar për pajtim, ku anëtarë janë një pjesë e tetë deputetëve të Sasho Mijallkovit, dhe aty të kemi rastin të dëgjojmë qëndrimet dhe porositë e tyre pas gjendjes së re të krijuar me ikjen e Gruevskit dhe arrestimin e Mijallkovit.