Trajneri Niko Kovac ka mbetur i zhgënjyer nga barazimi 1-1 që Bayern Mynih arriti në “Allianz Arena” ndaj Freiburg, rezultat që largon edhe më shumë bavarezët me Borussia Dortmund në krye të renditjes. Një gol i miqve minutën e fundit të ndeshjes ka befasuar kampionët e Bundesligës, që kishin vetëm 10 minuta që kishin shënuar me Serge Granbry. Ky rezultat ka vënë sërish nën presion skuadrën bavareze dhe trajnerin Kovac, që sheh të rikthehen sërish fantazmat e një shkarkimi të mundshëm.
“Kjo është ndeshja e dytë që humbasim pikë në minutën e fundit, pasi kjo gjë ndodhi edhe ndaj Augsburg. Kemi falur 4 pikë, që tashmë na mungojnë në renditje. Jam shumë i inatosur me skuadrën por edhe i mërzitur me mënyrën se si po falim pikë. Pjesën e dytë e zhvilluam tërësisht në zonën e Freiburg, por realizuam vetëm një gol, që nuk mjaftoi, ndaj duhet kujdes në të ardhmen. Ky është sporti e jeta vazhdon, pasi tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, pas 3 ditësh, në Champions League”, tha Kovac.