Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 mars – Vërejtjet e para, megjithëse jo zyrtare për propozim-listat e lekturave të shkollave fillore, kanë të bëjnë kryesisht me prezencën e shumë titujve të vjetër në ato që pretendojnë të kthehen në lista të reja të cilat do të përdoren nga viti i ardhshëm shkollor, shkruan gazeta KOHA. Lektura si “Zoki Poki”, “Lepuri me pesë këmbë”. “Oliver Tuisti” , “Aventurat e Tom Soerit” e të ngjashme, për dekada me radhë nuk u shqiten listave të lekturave që lexohen nga nxënësit e arsimit fillor në kuadër të realizmit të programeve mësimore. Sipas profesorëve të gjuhës dhe letërsisë, ka tituj dhe autorë të cilët mund të qëndrojë nëpër këto lista, por jo të gjithë e meritojnë “përkatësinë” pasi shumë lektura të cilat nuk kanë zgjuar interesimin e nxënësve deri tani nuk mund të presim që të bëhen interesante në të ardhmen.
“Ne po presim që listat e lekturat të ndryshojnë cilësisht, mirëpo mesa arrita të shoh nuk kishte ndonjë ndryshim domethënës. Kryesisht nëpër listat sillen po ato lektura të cilat janë punuar edhe më herët” pohon Emine Ramuka, arsimtare e gjuhës dhe letërsisë shqipe në SHF “Imri Elezi” në Shkup. Sipas saj, nxënësve duhet t’ju ofrohen lektura më atraktive dhe nëse nuk i posedojmë në gjuhën shqipe dhe maqedonishte le të mendohet dhe mundësia e përkthimit të librave. Sot të gjithë nxënësit janë përdorues të teknologjisë informatike. Kjo teknologji, sipas saj mund të shfrytëzohet shumë mirë edhe në kontekstin e leximit të lekturave.
“Me nxënësit e mi praktikoj edhe formën e leximit të lekturave dhe gjeten e materialeve në internet. Është një formë e cila funksionin për mrekulli”, tregon Ramuka. Por, padyshim se çështja kryesore ka të bëjë me tematikën që kanë lekturat dhe romanet që kërkojmë të lexojnë nxënësit. Për këtë, listat duhet të rinovohen krejtësisht, vëren ajo. Këtë mendim ndajnë edhe profesorët universitar.
“Ka lektura si ‘Lepuri me pesë këmbë’ për shembull të cilat janë lexuar në kohën e tim ati, i kam lexuar unë, fëmijët e mi dhe tani duhet ti lexojnë nipërit dhe mbesat. Kjo nuk më duket në rregull aspak”, shprehet prof. dr.Avzi Mustafa. Sipas tij, për gjeneratat e reja të nxënësve nuk provokon asnjë interes as lektura “Zoki Poki”, e cila bashkë me shumë të tjera nuk duhet të qëndrojë në listat e reja të lekturave shkollore. Thjeshtë, sepse trajton ngjarje nga koha e luftës së parë botërore, sqaron Mustafa. Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, thotë se lista nuk janë përfundimtare. Të gjithë mësimdhënësit e kësaj lënde e jo vetëm, kanë mundësi të dërgojnë vërejtjet, sugjerimet dhe propozimit e tyre. “Ne në MASH, do të trajtojmë me seriozitet çdo vërejtje që do të na vjen për titujt e lekturave dhe do të marrim në konsideratë çdo propozim të ri i cili do të na vjen enkas me listat e reja të lekturave”, deklaron zëvendësministri Ademi.
Propozim-listat në fjalë, sikurse dihet janë përgatitur nga komisione të posaçme që kishte formuar për këtë çështje Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) tre vite më parë. Në fillim të 2017 propozim lista për lektura në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke, i ishin dërguar MASH-it por të njëjtat u morën në shqyrtim nga MASH vetëm në fillim të këtij viti. Më 26 shkurt MASH publikoi ato propozim-lista të cilat do të jenë në fazën e debatit publik që do të zgjat deri në datën 26 të këtij muaji. (koha.mk)