Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 shkurt – Paralelisht teksteve të reja shkollore që paralajmërohen të bëhen gati për nxënësit në arsimin fillor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të mendojë edhe për lekturat e reja shkollore, si dhe për materialet tjera plotësuese, që edhe ashtu nuk janë të rregulluara si duhet me Ligj, shkruan gazeta KOHA. Për vite të tërë – shërbimet profesionale të MASH-it zvarritin zgjidhjen e këtyre dy çështjeve. Lekturat për nxënësit e klasave të para, siç dihet, kanë mbetur po ato të shekullit të kaluar, ndërsa revista dhe materiale të ngjashme jashtë programeve mësimore, depërtojë në forma të ndryshme.
Në Maqedoni nuk i gjen dy shkolla në të cilat nxënësit të kenë lexuar të njëjtat lektura apo të shërbehen me të njëjtat revista. Kjo, sipas mësimdhënësve të letërsisë, krijon diferenca jo vetëm në krijimin e kulturës letrare të nxënësve, por edhe të njohurive që ata konsumojnë. “Problemi vjen në shprehje sidomos gjatë organizimit të garave dhe kuizeve që organizohen mes shkollave. Ne, arsimtarët, gjatë përpilimit të pyetjeve, e kemi vërtetë të rëndë të caktojmë pyetjet pasi është e pamundur të bëhen dy-tre shkolla bashkë, ku gjatë të njëjti vit shkollor, të jenë punuar të njëjtat lektura”, thotë për KOHA, Rajmonda Asani, arsimtare e gjuhës dhe letërsisë në shkollën fillore “Panajot Ginovski” në Shkup. Për këtë arsye, nëpër kuizet e diturisë që organizojmë me nxënësit e shkollave në nivel të Shkupit dhe më gjerë, detyrohemi të shmangim këtë dimension të njohurive të nxënësve edhe pse aq shumë i rëndësishëm për ndërtimin e kulturës letrare të nxënësve.
“Letërsia nuk është vetëm mësimi përmendësh i datave dhe vendeve ku kanë lindur shkrimtarët, mbajtjes mend të veprave që ata kanë shkruar apo edhe mësimi përmendësh i disa poezive. Lënda e letërsisë paralelisht njohurive bazike, duhet t’ju shërbejë shijeve estetike”, shprehet Asani. Sipas saj, është vërtetuar se ndërtimi i personalitetit të njeriut – përveç kushteve të jetesës, trashëgimisë gjenetike dhe faktorëve të mjedisit socio-kulturor, është në varësi edhe të literaturës që konsumon. Prandaj, thotë Asani, është shumë e rëndësishme që fëmijëve tu ofrojmë letërsi me vlera të qëndrueshme. Shkolla tona, fatkeqësisht kanë dështuar ta bëjë këtë, shton më tej ajo duke theksuar faktin se “nuk mbahet mend nga cili vit shkollat nuk kanë rifreskuar listën e lekturave që duhet të lexojnë nxënësit”.
Para tre vitesh, në Byronë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) u formua një Komision në nivel profesorësh dhe autorë të letërsisë për fëmijë me qëllim të shqyrtimit problematikës me lekturat shkollore. Mirëpo, nuk ka as momentalisht një raport i cili do vërtetonte zyrtarisht këtë gjendje apo t’i rekomandonte MASH-it, gjegjësisht BZHA-së, se cilat lektura duhet të qëndrojnë dhe me çfarë tituj të ri do të zëvendësoheshin lekturat e larguara nga listat. BZHA, në çdo fillim të ri të vitit, u dërgon shkollave listën me lekturave që duhet të punohen në lëndën e gjuhës dhe letërsisë. Nga shkollat ka pasur vazhdimisht ankesa se listat kanë mbetur ato të para 30 viteve dhe përveç kësaj – nuk kanë as numrin e nevojshëm të titujve që qëndrojnë në ato lista. Situata “status quo”, sipas mësimdhënësve të lëndës, ndikon drejtpërdrejtë edhe në demotivimin e nxënësve për letërsinë në përgjithësi.
Prej vitesh, nënvizon arsimtarja Asani është zbehur pasioni i nxënësve për të lexuar libra, të cilat nuk janë pjesë e mësimeve të detyrueshme. Për fat keq, në këtë kategori kanë hyrë edhe lekturat, megjithëse nuk do të duhej të ndodhte kështu. Mirëpo, neglizhenca e institucione kompetente për ta zgjidhur problemin me lekturat dhe revistat shkollore, ka bërë që të njëjta të kalojnë në margjinat e vëmendjes edhe nga vetë shkollat, arsimtarët, nxënësit dhe prindërit e tyre. (koha.mk)