Ambasadorja e SHBA-së në Shkup Kate Byrnes thotë se “të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk mund ta merrni demokracinë si të gatshme, se duhet të vazhdoni të investoni në të, njerëzit të jenë pjesë e saj, të marrin pjesë në të”. Pra leksioni është se të gjithë kanë përgjegjësi, por mbi të gjitha politika që duhet të lërë ndershmërinë, që pa dyshim është mes nesh, të marrë frymë e të veprojë mbi bazën e vullnetit të lirë dhe ligjeve. Vërtet mjafton një politikan dhe një mendësi të hedhë poshtë çdo gjë, por poashtu dhe një individ, në dukje i vogël, që s’njihet e s’duket, që mbase as që e ka menduar se ngjarjet mund t’i vënë peshë të madhe për të ardhmen, mund të na mbrojë të gjithë, duke bërë punën thjeshtë, mbi bazën e ligjeve dhe me ndershmëri
Nga Nazim RASHIDI
Nëse bëjmë një parashikim të zhvillimeve të vitit që ka hyrë më thellë në janar, që tani e dimë se përveç zhvillimeve si zgjedhjeve në Kosovë, Shqipëri më vonë ato lokalet edhe tek ne, pastaj regjistrimi i popullsisë, do të tërheqin vëmendje edhe zhvillime që janë globale, por që na prekin dhe ne. Republika jonë do të përballet pa diskutim me çështjen e vaksinimit që do jetë vështirësia thuajse e njëjtë me të gjithë botën, por dhe ngjarja që ndodhi të mërkurën më 20 janar e ku gjithë sytë e botës ishin atje, inaugurimi i Presidentit të ri amerikan Jo Biden.
Politika e jashtme e SHBA-së sado e largët dhe me sfidat e saj, pa diskutim që ka një impakt të madh tek ne. Aq më shumë kur Ballkani është i lidhur apo dhe ndikohet ende nga “lojërat” gjeopolitike. Vëmendja jo rastësisht, por edhe ndikimet që do të vinë më pas me “kapitullin e ri” siç e quan CNN presidencën e re, sepse menjëherë kishte ndryshim të politikave.
SHBA-në si asnjëherë më parë, e la një President, i cili që kur se erdhi në pushtet e deri ditën e fundit shkaktoi kontraversialitet. Sigurisht largimi i tij për kundërshtarët është lehtësim, si për ata brenda ashtu edhe ata jashtë SHBA-ve. Aq më shumë se siç mund të përmblidhet ai bëri që SHBA-së t’i ndodhë retorika ballkanase: Mospranim i rezultatit të zgjedhjeve, dhunë në Kapitoll, madje dhe viktima, procese gjyqësore dhe në fund inat, i cili kulmoi me mosprezencën në ceremoninë e inaugurimit. Ceremonia simbol, e ndryshimit, transferit të qetë të pushteteve do ishte pa Presidentin Trump, i cili deri në orët e fundit la SHBA-të dhe botën të ngrirë me vendimet që mund të marrë.
Në rregull. Kjo është tablloja. Gjithçka e pa precedenttë. Por çfarë mësuam?
SHBA është shembull për ne.
E para e kuptuam që demokracia është aq e brishtë sa edhe në vendet më të zhvilluara, që i kemi marrë e marrim si shembull, mund të kalojnë lëkundje serioze të këtyre vlerave?
Pronësorja amerikane Rosemary Armao, një gazetare që ka punuar në shumë vende të botës e që ka parë demokracitë e brishta, në intervistën që bëra me të mbase përshkruan më së miri leksionin rreth demokracisë e sidomos kujdesit që duhet pasur për të.
“Kujtuam se ishim të mbrojtur. Kujtuam se na mbronte kushtetuta, por në fakt ka qenë vetëm ndershmëria”, tha ajo. Ideja e saj është kur vjen në pushtet një njeri që nuk respekton ligjet dhe kushtetutën, atëherë ato rreshta dhe rregulla të shkruara s’kanë vlerë se mbesin veç në letër, ose sot vetëm në kompjuterë. Ideja është se nëse nuk vinë në pushtet njerëz që kanë mendësi rregullin, dëshirën për përparim, zhvillimin, barazinë, mirëqenien e përgjithshme e mbi të gjitha jo tentativë për të manipuluar ligjet e rregullat, por për t’i vënë ato në favor e funksion të njerëzve, s’mund të ketë qetësi në shoqëri.
Leksioni për SHBA-të dhe për të gjithë këtu është.
Në serinë e akteve të precedenta e sidomos në atë bisedë që dëgjonim Trump-in ku kërkonte nga zyrtarët në Georgia që t’i gjejnë votat që si kishte marrë, e që megjithatë thoshte se kishte fituar atje, heronjtë e ndryshmit dolën pikërisht ata individë që ndershmërinë e kishin standard normal të jetës së tyre. Profesoresha Armao thotë se SHBA-në e shpëtuan njerëzit që e kishin ndjerë se duhej të bënin gjënë e duhur.
“Por, kur ke dikë që dëshiron të shkojë deri në skajshmëri, që dëshiron të rrezikojë gjithçka për pasurimin e tij personal dhe fuqi, e shihni se nuk ka shumë mbrojtje. Ajo që mbrojti SHBA-në tani, është pavarësia e gjyqësorit, edhe pse gjykatat u mbushën me gjykatës të caktuar nga Donald Tramp, asnjë prej tyre nuk mbështeti atë që u quajt, gënjeshtrat e mëdha, se zgjedhjet e fundit nuk ishin të ndershme. Ata thanë nuk keni dëshmi, ikni. Pra, gjykata, shoqëria civile u ngrit, njerëzit reaguan ashpër në veprime, dhe tani nuk flas për njerëz që vetëm nxitojnë drejt Kapitollit, por njerëz që kërkojnë të zbatohet kushtetuta. Dhe çështja e tretë ishte se në nivel shteti kishte disa zyrtarë guximtar përgjegjës në zgjedhjet, sidomos në Gjeorgji, që rezistuan bullizmin dhe ndërhyrjen nga Presidenti i SHBA-ve, nuk ka ligj që thotë se mund ta bësh atë. Shumë thjesht mund të ndodhte që ata ta bënin atë që ai dëshironte, t’i ndryshojë rezultatet, por nuk e bënë. Këto janë mbrojtësit”, sqaron Armao.
Por ajo thekson edhe një gjë tjetër për mua tejet të rëndësishme kur thotë: “mbrojtja ishte e hollë”. Ishte si të ecje në akull, që mund të thyhej dhe gjërat mund të merrnin një kthesë që do vinte në rrezik shumë çka.
Por kur jemi tek leksionet nga demokracitë që i marrim shembull. Pyetja është a mund t’i mbajë të ndershme proceset e rëndësishme që do t’i ndodhin republikës tonë? Shikoni sa dyshime ka për procesin e regjistrimit. Në fund atë do të duhet ta zbatojnë njerëz, të thjeshtë dhe të shtrirë në të gjithë vendin. Ndershmëria e politikës është seriozisht e lëkundur, por të tjerët dalin dot mbi këtë psikozë që e krijon politika?
Në fakt këtu është dhe çështja, se sa në fakt ka hapësirë dhe sistem që individët të çliruar të mund të veprojnë duke pasur ndershmërinë e tyre parësore? Por këto pyetje nuk kërkojnë vetëm përgjigjet nga politika, por nga të gjithë ne. Ne do të duhet t’i mbështesin ata regjistrues, ata zyrtarë, ata administratorë që t’i kryejnë detyrat pa presione. Pa telefonat për vota, për njerëz, për manipulime.
Regjistrimi i popullsisë është sfida e parë, do të vinë edhe zgjedhjet lokale ku do të vlejnë të njëjtat parime për ndershmërinë dhe procesin që duhet ta mbartin njerëzit, ata të zakonshmit që janë larg politikave të mëdha dhe politikanëve që i shohim çdo ditë në media, por që presionin prej tyre e ndjejnë.
Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Byrnes thotë se “të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk mund ta merrni demokracinë si të gatshme, se duhet të vazhdoni të investoni në të, njerëziit të jenë pjesë e saj, të marrin pjesë në të”. Pra leksioni është se të gjithë kanë përgjegjësi, por mbi të gjitha politika që duhet të lërë ndershmërinë, që pa dyshim është mes nesh, të marrë frymë e të veprojë mbi bazën e vullnetit të lirë dhe ligjeve. Vërtet mjafton një politikan dhe një mendësi të hedhë poshtë çdo gjë, por poashtu dhe një individ, në dukje i vogël, që s’njihet e s’duket, që mbase as që e ka menduar se ngjarjet mund t’i vënë peshë të madhe për të ardhmen, mund të na mbrojë të gjithë, duke bërë punën thjeshtë, mbi bazën e ligjeve dhe me ndershmëri.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)