Një nga producentët dhe moderatorët më të spikatur në ekran, Lekë Rezniqi, djaloshi kosovar vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon eksperiencën ndryshe të jetës që nga mëngjesi dhe puna që bën
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Çfarë është lumturia absolute për ju?
Mendoj se një koncept i tillë është i pamundur, megjithatë lumturia për mua është shëndeti dhe sa më shumë kohë me njerëzit më të dashur.
KOHA: Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Zilja, secilin mëngjes zgjohem me synimin të bëj ndonjë gjë më të mirë se që kam bërë deri më tani.
KOHA: Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Ndoshta para 10 minutash. Vazhdimisht qeshi me shpirt, qoftë me barsoletë, artikull në internet, ndodh që ma tregon dikush etj. Por, kur jemi tek qeshja më duhet të theksoj që mendoj se është gjëja më e rëndësishme. Madje, sa i përket qeshjes dua ta kujtoj një thënie nga ikona e artit tonë, e ndjera aktorja Leze Qena. Ajo pati thënë një herë: “Unë nuk pi barna. Ilaçi më i mirë është qeshja. Vetëm të qeshim dhe gjithçka fillon e bëhet më e mirë e më e lehtë“. Dhe unë pajtohem dhe do te thosha që kështu e definoj edhe unë.
KOHA: Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Nuk e di, mendoj që këtë do ta vlerësonin të tjerët dhe jo unë për veten. Mundohem që gjithmonë të bëj mirë, apo nëse nuk mundem të bëj mirë së paku mundohem të mos bëj keq.
KOHA: Defekti juaj kryesor?
Gjërat e sotme i lë për nesër.
KOHA: Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?
Ndaj atyre gabimeve që janë më pak të dëmshme.
KOHA: Hera e fundit që u përlotët?
Para 10 minutash prapë. Përlotem shpesh, qoftë me ndonjë bisedë, ngjarje, apo ndonjë gjë që e kam shikuar në televizion, lexuar në gazetë apo internet. E fundit ndoshta ishte për një storie në KTV për të pagjeturit. Kjo brengë e madhe dhe plagë ende e hapur për shumë familje në vendin tonë që nga lufta e fundit, është bërë fare pak dhe ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. Mendoj që duhet më shumë se kurrë të bashkohemi të gjithë si shoqëri dhe të luftojmë deri në fund për zbardhjen e fatit të tyre.
KOHA: Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Nënën Terezë. Është personaliteti më frymëzues për mua, ndërsa po më shtohet sa më shumë po lexoj dhe informohem për jetën dhe veprën e saj.
KOHA: Udhëtimi juaj i preferuar?
Kudo në trojet shqiptare. Pak më tepër në bregdetin e jugut.
KOHA: Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Duke mos dashur të përmend emra të përveçëm, ngase e kam të vështirë, do të fokusohesha tek zhanret, e që më tepër më pëlqejnë romanet, libra bazuar në ngjarje të vërteta- sidomos historike, biografi-autobiografi dhe të ngjashme.
KOHA: Cilin virtyt vlerësoni më shumë te një femër?
Mendoj se secila është e veçantë dhe nuk mund të përgjithësoj virtytet.
KOHA: Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Ajo që mund ta kem dëgjuar pak çaste para se të hyjë në dush, nga “Tumankuqja” e deri tek “O sole mio”.
KOHA: Ngjyra juaj e preferuar?
E kuqja.
KOHA: Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Sa i përket profesionit, sa i përket punës në televizion është vështirë të ndahen kur çdo ditë mundohemi të bëjmë punë sa më të mirë me të cilën do të krenohemi, megjithatë do t’i veçoja disa dokumentarë të realizuar për arbëreshët në Itali, të cilët kanë lidhje direkte me heroin tonë kombëtarë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu.
KOHA: Pija juaj e preferuar?
Raki dëllinje nga jugu i Shqipërisë.
KOHA: Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Koha e pakët që kaloj me ata që dua.
KOHA: Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Luftën.
KOHA: Frika juaj më e madhe?
Prapë, lufta.
KOHA: Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Kur nuk është momenti që dikujt t’ia them një të vërtetë të hidhur, e të cilën do t’ia them pak më vonë në një çast kur e ka më të lehtë ta përballojë.
KOHA: Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Ndoshta.
KOHA: Cila është motoja juaj?
Jeto për vete dhe lejoji të tjerët të jetojnë siç duan.
KOHA: Si do të dëshironit të vdisnit?
Nuk e kam menduar. E dua jetën shumë dhe as nuk dua të paramendoj se si do të duket. Le të jetë si të dojë, aksident, sëmundje, infarkt, etj. Por ka ende kohë, s’dua ta mendoj.
KOHA: Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
“Ke mundur të më lesh edhe pak”, (qesh).