Fatmire Alushi ka konfirmuar se është përshëndetur nga futbolli profesionistë. 28-vjeçarja e cila ka përfaqësuar kombëtaren e Gjermanisë në arenën ndërkombëtare, ka luajtur për skuadrat e njohura: Duisburg, Turbine Potsdam, Frankfurt dhe Paris Saint Germain, shkruan Gazeta Metro. Ajo përmes rrjeteve sociale ka konfirmuar dorëheqjen nga futbolli, ku arsyeja kryesore ishte familja dhe mosgjetja e një vendi për planet private të saj.
“Pas një mendim të gjatë dhe të kujdesshëm, unë kam vendosur të përfundoj karrierën e futbollit. Ky vendim është shumë i vështirë për mua, sepse me gjithë qejf kam dashur të luaj prapë futboll në një klub atraktiv. Por për fat të keq nuk ishte e mundur ta gjejmë një qytet ku unë dhe burri im Enisi, të realizojmë planet tona private dhe sportive. Prandaj kam vendosur të vazhdoj të jap gjithë fuqinë dhe kohën familjes time”, shkruhet në njoftimin e saj në rrjetet sociale.
Alushi e cila është nga Istogu, ka zhvilluar afro 300 paraqitje me të gjitha klubet, ku ka shënuar rreth 123 gola. Gjithashtu ajo u shpall kampione e botës në vitin 2007 dhe e Evropës në vitin 2009 dhe 2013.