Vetëm në vitin 1502 kakaoja u njoh nga qytetërimi europian. Kristofor Kolombi gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje. Në kthim mori me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit
Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës. Legjenda thotë se kultura e kakaos u zhvillua nga mbreti i tretë Maja: Hunaphu.
Një tjetër legjendë, kësaj radhe azteke thotë që në kohë të hershme, një princeshe iu la nga i shoqi i nisur për në luftë, një thesar i madh. Kur erdhën armiqtë, princesha nuk pranoi të tregonte se ku e kishte fshehur thesarin dhe për këtë e vranë. Nga gjaku i saj lindi bima e kakaos, farat e së cilës janë të hidhura si vuajtja, por në të njëjtën kohë, të forta dhe emocionuese si virtytet e saj. Më vonë, Majët dhe Aztekët filluan kultivimin e kakaos dhe me të prodhonin çokollatë, të cilën e lidhnin me Xokikuetzalin, perëndeshën e fertilitetit. Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike, mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakaos ishin Majat, rreth vitit 1000 para erës sonë.
Vetëm elita konsumonte çokollatë
Sipas vlerave mistike e fetare, kakaoja konsumohej nga elita gjatë ceremonive të rëndësishme. Ofrohej me flakë si sakrificë ndaj hyjnive dhe ndonjëherë përzihej me gjakun e priftërinjve. Si prova të kësaj janë gjetur shume piktura të bimës së kakaos nëpër vazo dhe kode Maja.
Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije e quajtur ksokoalat, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije konsumohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë si mielli. Një tjetër mënyrë përgatitje ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë. Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, e cila në antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën. Pas pushtimit spanjoll filloi të përdorej “dybeku” (molinilo) i cili lëvizej poshtë e lart dhe kështu arrihej me shpejt shkuma aq e dëshiruar.
A e njihnin europianët çokollatën?
Vetëm në vitin 1502 kakaoja u njoh nga qytetërimi europian. Kristofor Kolombi gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje. Në kthim mori me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soton u arrit futja e kakaos në Evropë me shumicë, në vitin 1519. Ai arriti në Amerikë nga Spanja dhe popullsia e vendit e kujtoi për perëndinë Kutzalkoatl, i cili sipas legjendës duhej të kthehej pikërisht në atë vit. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao.
Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Europës me qëllim tregtar, udhëtoi mbi një anije nga Verzkruzi në Sevilje në 1585 (në Sevilje ndodhej Këshilli Mbretëror i Indive, nëpërmjet të cilit kurora spanjolle kontrollonte të gjitha trafiqet tregtare, administrimin, aspektet ushtarake dhe fetare të kolonive të veta përtej oqeanit).