Mes que un club, më shumë se një ekip. Një mënyrë jetese. Motoja e gdhendur në Camp Nou është simboli dhe krenaria e Barcelonës, që mburret me superioritetin, moralin dhe vlerat krahasuar me ekipet e tjera (dhe në veçanti me rivalët e përjetshëm të Real Madrid). Kohët e fundit megjithatë, stili i Barçës ka filluar të lëkundet. Gjatë verës pati një konflikt me Romën, për mënyrën sesi u vodh ‘’Malcolm’’. Dhe tani, pas humbjes me Leganes, vijnë akuza edhe më të rënda.
Te Barcelona nuk janë mësuar të humbasin dhe aq më tepër, të sillen siç duhet pas humbjeve. Skuadra e drejtuar nga Valverde u mund mbrëmë 2-1 nga Leganes, në një nga surprizat më të mëdha të këtij fillim sezoni, pasi pa t’i përmbysej brenda 69 sekondash goli i Coutinho-s.
Nga Barça pritej një akt sportiv, duke respektuar kundërshtarët, siç do të ishte mëse normale. Por nuk ndodhi, sepse pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët e Valverde-s vrapuan në dhomat e zhveshjes pa u përshëndetur me kundërshtarët.
Gjest që nuk u pëlqye fare Cuellas, portieri i Leganes, i cili gjatë një interviste për RVV të Cadena shprehu pakënaqësinë e tij për atë që Leganes e kanë përjetuar si mungesë respekti. “Sigurisht që ne jemi Leganes dhe jemi një skuadër e vogël dhe e përulur. Por do të më pëlqente që njerëzit që janë mësuar të fitojnë, kur të humbin të vijnë të të përshëndetin dhe të përgëzojnë skuadrën tjetër, gjë që nuk e kanë bërë lojtarët e Barcelonës. Askush nuk erdhi të na përgëzonte. Asnjërin prej nesh. Mendoj se ky është një gjest mjaft i shëmtuar “. Kësaj here katalanasit e kanë tepruar.