Gostivar, 26 dhjetor – Qytetarët që aplikuan në afatin e parë në vitin 2011, janë të obliguar që dokumentacionin ta kompletojnë me elaborate gjeodezik më së voni deri në dhjetorin e vitit 2016. Për këtë qëllim, shefi i Sektorit për urbanizëm, komunikacion, veprimtari komunale dhe mbrojtje të mjedisit jetësor në Komunën e Gostivarit, Jeton Salija përmes një konference për shtyp ka thirrur qytetarët që aplikuan për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje që deri ditën e premte kur dhe përmbyllet afati i lejuar ligjor, të dorëzojnë elaborate gjeodezike. “Sipas Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje në Republikën e Maqedonisë, të gjithë qytetarët që aplikuan në afatin e parë në vitin 2011, janë të obliguar që dokumentacionin ta kompletojnë me elaborate gjeodezik më së voni deri në dhjetorin e vitit 2016. Si rezultat i ndryshimeve ligjore të ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, u mundësua prolongimi i afatit për dorëzimin e elaborateve gjeodezike deri më 31 Dhjetor të vitit 2016”, potencoi Salja, duke shtuar që: “Për shkak se afrohet afati kohor dhe me qëllim që të gjithë qytetarët që bënë kërkesë për legalizim të objekteve pa leje në afatin e vitit 2011, të arrijnë të përfundojnë procedurën dhe të pajisjen me aktvendim për legalizim të objekteve të tyre, Komuna e Gostivarit apelon që të respektohet afati ligjor dhe në kohë të kryejnë obligimet e tyre në afatin e paraparë ligjorë”. “Një thirrje e veçantë u bëhet mërgimtarëve të cilët kanë aplikuar për legalizim të objekteve, të shfrytëzojnë praninë e tyre në vendlindje për të përmbyllur këtë proces në afatin e paraparë ligjor. Në të kundërtën, sipas Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, procedura do të ndërpritet dhe qytetarët do të humbin të drejtën për legalizimin e objekteve të tyre. Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta, ka urdhëruar administratën, dhe veçanërisht kryetarët dhe anëtarët e Komisioneve që merren me shqyrtimin e lëndëve për rregullimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, që në periudhën e ngelur të shtojnë angazhimet e tyre me qëllim që çdo qytetari t’i dilet në ndihmë për të arritur në kohë dhe me sukses të përmbyllin lëndët e tyre për legalizim”, shtoi Salija, i cili bëri me dije që në dy afatet e parapara ligjore në Komunën e Gostivarit aplikuan për të legalizuar objektet e tyre gjithsej 12.734 persona fizik dhe juridik. Nga ata, deri tani aktvendime të plotfuqishme kanë pranuar 4.065 aplikues. (D.Z)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.