Të gjitha objektet që kalojnë kontrollin te qendra e sizmologjisë së Shkupit dhe të gjithë ato investitorë që blejnë banesa ku komplet ndërtimin është i rregulluar me dokumentacion dhe me regjistrime të tilla nuk duhet të frikohen pasi që ato kalkulohen deri në shkallën e 9 te Rihterit, ndërsa për të gjitha objektet tjera duhet pasur kujdes
Urim HASIPI
Tetovë, 5 dhjetor – Tërmeti në Shqipëri ka ngjallur frikë edhe tek qytetarët në Maqedoni. Frika më shumë ekziston tek banesat kolektive dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj lëkundjeve të tokës. Edhe pse ekspertët kanë konstatuar se objektet në rajonin e Pollogut janë të qëndrueshme dhe mund të përballojnë tërmet deri në 9 shkallë sipas Rihterit, debati tashmë është zhvendosur në një dimension tjetër, lidhur me sigurinë e ndërtimeve të shumta që janë bërë në Pollog dhe qytetet tjera të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Inxhinierët pohojnë se përgjegjësitë bien mbi autoritetet, dhe institucionet lokale dhe ato qendrore.
“Kemi dy lloje të përgjegjësive, një është ajo që bie mbi institucionet që ndërtohen me leje dhe nuk kalkulohen sipas atyre normativave të cilët janë të projektuara, aty bie përgjegjësia e drejtpërdrejt mbi mbikëqyrësin e objektivave që e kontrollojnë realizuesin dhe më pas bie dhe mbi institucionin e që e ka kontrolluar atë, dhe e ka pranuar edhe raportin teknik të inxhinierëve. Më kritikja është dhe më e keqja, kur nuk kemi përgjegjësi, ndërsa unë mendoj se përgjegjësi direkte kanë autoritetet komunale, këshilli komunal apo kryetari i komunës ku legalizojnë objektet pa leje, dhe legalizimi i atyre objekteve pa marrë parasysh madhësinë e metër katrorit legalizohet me një elaborat gjeodezik që karakterizohet kualiteti, përqendrueshmëria apo llogaritja e statikës dhe kjo është te pjesa më problematike dhe problem më i pazgjidhur dhe përgjegjësia bie direkt mbi institucionin i cili aprovon apo jep atë vendim për legalizimin e objekti”, thotë Hamdi Sulejmani, inxhinier i ndërtimtarisë.
Në ndërkohë, problem në vete është edhe ligji i legalizimeve të objekteve pa leje ndërtimi.“Përgjegjësia është se ky ligj vlente për të gjitha objektet që janë të ndërtuara deri në vitin 2019 kurse ne kemi shembuj shumë edhe në Maqedoni, por edhe në regjion se janë legalizuar objekte edhe pas vitit 2019. Nuk kanë bërë kontrolle adekuate është bërë një keqpërdorim i madh, është bërë krim i madh në ato objekte, kurse tash Parlamenti i Republikës së Maqedonisë do të sjellë dhe një ligj të ri i cili do të hy në fuqi nga janari i vitit 2020 dhe do të përmbledh të gjitha objektet që janë të ndërtuara deri në vitin 2019 do të thotë edhe një krim tjetër dhe një keqpërdorim tjetër për kualitetin e ndërtimit”, shprehet Sulejmani.
Sipas Sulejmanit, qytetarët që jetojnë në objekte për të cilët ka dokument nga qendra e Seizmologjisë duhet të jenë të qetë. “Të gjitha objektet që kalojnë kontrollin te Qendra e Sizmologjisë së Shkupit dhe të gjithë ato investitorë që blejnë banesa ku komplet ndërtimin është i rregulluar me dokumentacion dhe me regjistrime të tilla, nuk duhet të frikohen pasi që ato kalkulohen deri në shkallën e 9 te Rihterit, kurse të gjitha ato objekte që kanë kaluar me legalizim duhet të mendohen mirë dy herë, sepse bëhet fjalë dhe për jetën e tyre”, shprehet Hamdi Sulejmani, inxhinieri i ndërtimtarisë. Sipas ekspertëve, në Maqedoninë e Veriut janë 5 epiqendra seizmologjike, edhe atë Valandova, Shkupi, Pehçeva, Pollogu dhe Dibra. Këta janë rajone ku edhe mund të ndodhin tërmete me shkallën 9 sipas Rihterit. (koha.mk)