Los Anxhelolsi është në çdo drejtim shtëpia e re e LeBron James, që do të luajë me Lakers sezonin e ri. Por jo vetëm kaq, pasi ylli i NBA-së ka vendosur të zbarkojë edhe në Hollywood. Pas 5 vitesh të mbushura me thashetheme sot erdhi lajmi zyrtar: “King James” do të jetë protagonist në filmin vizatimor “Space Jam 2”. Ai do të ketë të njëjtin rol si dhe Michael Jordan në filmin e parë me këtë titull të xhiruar në vitin 1996, ku ikona e NBA-së luante basketboll mes personazheve të animuara. Në krah të LeBron do të jetë sërish lepurushi Bugs Bunny, që gjithashtu “rikthehet” në parket pas 22 vitesh, që pas filmit me Jordan. Ndërsa në stol si trajner do të jetë Ryan Coogler, producent dhe regjizor i njohur, që ka bindur LeBron James të luajë filmin.
Zyrtarizimi i James në filmin “Space Jam 2” erdhi përmes rrjeteve sociale përmes “Spring Hill Entertainment” (shtëpi kinematografike e krijuar nga LeBron dhe Maverick Carter) e më pas ishte edhe vetë lojtari që e konfirmoi lajmin, duke postuar një foto të dollapit të tij në krah të atij të personazheve të tjera të filmave të animuar. Tani mbetet për të mësuar se cilët do të jenë shokët e rinj të skuadrës së LeBron James në këtë film edhe pse personazhet e njohur të basketbollit të viteve të fundit nuk mungojnë. Mësohet se xhirimet dhe përgatitjet për filmin e ri do të nisin verën e ardhshme, pasi të përfundojë sezoni 2018-2019 në NBA.