LeBron James rrezikon të mos luajë në ndeshjen e parë sezonale që skuadra e Cleveland Cavaliers do të zhvillojë më 18 tetor ndaj Boston Celtics, një takim që do të vërë përballë njëra-tjetrës dy ekipet pretendente për titull në Konferencën e Lindjes. “Të enjten LeBron kishte dhimbje në kaviljen e majtë dhe vendosëm që të mos luajë edhe në ndeshjen e fundit miqësore do të luajmë ndaj Orlandos ditën e shtunë. LeBron është i mërzitur, pasi nuk ka luajtur në fazën përgatitore”, u shpreh Tyronn Lue, trajneri i Cleveland Cavaliers.
Situata e krijuar ka shqetësuar pa masë stafin drejtues të Cavaliers, pasi nuk dihet nëse “Mbreti James” do të jetë në fushë në ndeshjen hapëse të sezonit. “Ne e lamë jashtë, që të pushojë, pikërisht për të evituar ndonjë dëmtim më të rëndë, në mënyrë që ai të jetë gati për debutimin në kampionat. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne, ndaj jam optimist se deri javën e ardhshme do të jetë rikuperuar 100% dhe do të luajë”, u shpreh më tej trajneri Tyronn Lue, që synon këtë vit të fitojë titullin kampion në NBA me Cleveland.