Lakers rrezikojnë të mos kualifikohen në afzën e play off dhe ky do të ishte një dështim i madh, sidomos tani që në skuadër ndodhet edhe një prej basketbollistëve më të mirë në botë, LeBron James. Në sezonin e tij të parë me ekipin kalifornian gjërat nuk po shkojnë shumë mirë për “king James”.
Lakers ndodhen në vendin e 10-të në Perëndim, me 28 fitore e 29 humbje. Sipas parashikimeve, ekipi i trajnerit Luke Walton ka vetëm 4.9% mundësi që të jetë mes 8 ekipeve të para që shkojnë në fazën e play off-it. “E vetmja gjë që më intereson për momentin është të shkojë në play off. Gjatë 2 muajve që vijmë do të fokusohemi vetëm te ky objektiv. Ta rikthejmë ekipin në nivelin ku ishte para se unë të dëmtohesha”, tha LeBron James pas “All Star Game”.
Pas Krishtlindjeve, ku Lakers fituan ndaj kampionëve të Golden State, diçka u prish në mekanizmat e skuadrës kaliforniane, sidomos pas dëmtimit të LeBron. Në 18 ndeshjet që pasuan atë sukses të madh erdhën 12 humbje, shumë për një ekip që synon titullin.
Misioni i Lakers është që në 25 ndeshjet e mbetura të arrijë të pamundurën dhe të rikthehet në zonën e play off-it. Parashikimet thonë që ekipi i trajnerit Walton ka një nga kalendarët më të vështirë, duke nisur nga sfida e parë, ajo ndaj Houston më 22 shkurt. Dhe disa nga ekipet që janë sipër tyre në renditje kanë një kalendar më të lehtë.
Për Lakers dhe LeBron James, t’i shohin ndeshjet e play off nga televizori do të ishte më shumë se një dështim, një falimentim. Problemi kryesor i kësaj skuadre është më së shumti psikologjik. Në rast se do të luajnë të qetë dhe si skuadër, jo vetëm që mund të kapin play off-in, por mund të jenë edhe ekipi surprizë. LeBron ka 4.9% dhe 25 ndeshje për ta bërë realitet ëndrrën play off.