Le të turpërohen të gjithë ata që bënë mëkat ndaj Adem Demaçit

Adem Demaçi jetoi dhe veproi në mesin tonë dhe shërbeu si idol duke nxitur shumë gjenerata që të jenë të guximshëm në kërkimin e të drejtave të shqiptarëve. Ai do të mbetet gjithnjë shembëlltyre e ndritur patriotike. Adem Demaçi ishte dhe mbetet ylli ndriçues dhe dijamant i çmuar në mesin e shqiptarëve. Le të turpërohen të gjithë ata që bënë mëkat ndaj Adem Demaçit.

Nga Rexhep Torte

Tashmë kaloi një muaj që kur u nda nga ne Adem Demaçi, “Mandella e Shqiptarëve. Nuk më lejoi sëmundja ime e rëndë që të jem pararendës për ti shprehur përshtypjet dhe konsideratat e mia për Adem Demaçin, këtë figurë emblematike për mbarë popullin shqiptar. Për Adem Demaçin për herë të parë dëgjova në vitet e 50-ta të shekullit të 20-të kur në revistën “Jeta e Re” botohej si fejton romani “Gjarpitë e Gjakut” kur lexuesit flisnin me admirim për këtë shkrimtar të guximshëm. Ndërkaq Adem Demaçin si gazetar i “Faktit” unë e takova në vitin 2005 në Dibër dhe i propozova që ta realizojmë një intervistë. Adem Demaçi pranoi pa hezitim duke thënë se gazeta “Fakti” ka kryer një mision të shenjtë gjatë luftërave të UÇK-së në Kosovë dhe Maqedoni. Siç më tregoi Baca Adem gjatë një vizite të tij në Shqipëri i kishte pyetur miqtë e tij atje se ku mund të gjente një vend të përshtatshëm me qetësi dhe vetmi të plotë për ta shkruajtur romanin e tij “Heli dhe Mimoza”. Miqtë nga Shqipëria i kishin propozuar që të vinte në Dibër në Banjat e Dibrës. Më tej Adem Demaçi u shpreh se për Dibrën e Madhe kishte mësuar nga historia se ka qenë qendër patriotike, e rezistencës, si zonë luftarake e Elez Isufit kundër ushtrive serbe. Edhe gjatë jetës së tij nëpër burgje Baca Adem kishte takuar dibranë si Xhevdet Dacin, atdhetarin trim nga Dibra e Vogël, pastaj Nehat Bellçishtën gjatë studimeve në Beograd, Burhan Pashollin e kishte njohur në gjimnaz, i cili kishte kaluar nëpër burgje. Kam takuar, thoshte ai, dibranë në SHBA, Evropë dhe nëpër botë. Dibranët janë shumë të vyer, të organizuar e të bashkuar. Në Kosovë ka shumë persona të pagëzuar me emrin dibran.

“E keqja e Maqedonisë është se shumë e ka kopjuar Serbinë”
Ja disa fjali nga intervista e ime e parë me Adem Demaçin e botuar në “Fakti” më 31 dhjetor 2005 me titull “E keqja e Maqedonisë është se shumë e ka kopjuar Serbinë”. “Për herë të parë më burgosën në vitin 1955 në moshën 21-22 vjeçe, pastaj në vitin 1964 dhe në vitin 1975. Jam liruar nga burgu në prill të vitit 1990. Kam vuajtur gjithsej 28 vite burg në burgjet Sremska Mitrovicë, Nish, Pozharevc dhe në Stara Gradishka në burgun më të poshtër në ish Jugosllavi që ishte ferr i vërtetë ku 14 vite kam patur një teneqe në vend të nevojtores, kam punuar punë të vështira, kam patur ushqim të dobët, ujë të ndotur në një klimë me mjegull dimër e verë. Të gjitha këto i kam tejkaluar falë Zotit e sot ndjehem më i fortë se kurrë. Kam qenë i lumtur që rregjimi i Serbisë më zgjodhi mua të më anatemojë dhe ta zbatojë politikën e vet për nënshtrimin e inteligjencës shqiptare, kam qenë i lumtur për këtë sepse e kam ditur dhe njohur forcën time, që ka ardhur si rezultat i edukatës që kam patur nga nëna ime dhe mësuesit e mij që më kanë frymëzuar në drejtim të duhur. Burgun e kam konsideruar si punën time. Në burg kam patur shumë përjetime të hidhura, por kjo ka qenë kostoja e domosdoshme për të kryer misionin tim për të qenë shembull për të tjerët. Në burgje jam takuar me persona që kanë qenë të frymëzuar nga libri im “Gjarpitë e Gjakut”. Kështu filloi Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Kjo e detyroi rregjimin titist që më në fund ta lejojë përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar dhe hartimin e amendamenteve kushtetuese në vitin 1974. Edhe sot vazhdon rezistenca shqiptare kundër zgjidhjeve gjysmake që na i imponojnë Serbia bashkë me disa faktorë të huaj. Burgu për mua ka qenë si vend pune. Burgu vërtetë është skëterrë, por kur je në burg për patriotizëm dhe ideal kjo të jep forcë që burgun ta përjetosh si vend pune.
Gjatë luftës rezistencën e organizuan ata që më së paku ishin të përgatitur për atë punë, e nisën njerëzit me vullnet të madh, por me përgatitje të vogël luftarake që mbështetej në disa kurse të shkurtëra. Ata që ishin të shkolluar si kolonelë e gjeneralë nuk u organizuan në këtë kryengritje siç ndodhi në Slloveni, Kroaci e Bosnjë. Unë i besoj seriozisht Zotit. Unë nuk ika nga Prishtina përkundër kërcënimeve të serbëve, dhe isha frymëzim edhe për të tjerët që nuk u larguan nga Prishtina. Zoti ishte ai i cili i kishte në dorë këto punë. Pas Rambujesë intervenoi edhe NATO. Nuk besoj se kjo garniturë kosovare për negociata mund të arrijë atje ku duhet. Këtu luhet një lojë e madhe që të manipulohet me popullin tonë. Populli ynë është i përcaktuar për të qenë i pavarur. Shqipëria ka patur dhe ka mundësi që ta luajë më mirë rolin e saj si shtet amë. Maqedonasit ende nuk e kuptojnë që shqiptarët të jenë të barabartë me maqedonasit. E keqja e Maqedonisë është se shumë e ka kopjuar Serbinë. Zgjidhja më e mirë është se duhet bërë më shumë se sa që parasheh Marrëveshja e Ohrit”.

“Të gjithë kanë marrë copa trojesh nga ne”
Herën e dytë Adem Demaçin e takova më 10 shtator të vitit 2006 derisa kurohej dhe pushonte në Banjat e Dibrës “Capa”. Me këtë rast e zhvilluam edhe intervistën e dytë lidhur me situatën në Kosovë, procesin e negociatave për statusin final të Kosovës dhe rethanat politike mbarëshqiptare. Kjo intervistë u botua në gazetën “Fakti” më 15-16 shtator 2006, me titull “Po bëhen hile të mëdha ndaj Kosovës” dhe “Të gjithë kanë marrë copa trojesh nga ne”, po shkëpusim disa fjali nga kjo intervistë. “Në këtë situatë dramatike po bëhen përpjekje që 5-6 % e serbëve ta kontrollojnë Kosovën nëpërmjet komunave të pavarura serbe. Është duke u bërë një copëtim para se të njihen kufijtë e Kosovës dhe para se Kosova ta fitojë statusin e pavarur. Qëllimi është që Serbia të përfitojë edhe në Kosovë siç bëri në Bosnjë e Hercegovinë ku krijoi Republika Srpskën. Në këtë mënyrë Serbia dëshiron në Kosovë të ketë shtrirje në katër anët e Kosovës, do të zinte vendet më strategjike, tokën më të mirë dhe rrugët më të rëndësishme që kur të dëshirojë ta bllokojë jetën në Kosovë. Ky grup negociator i shqiptarëve nuk ka fuqi që ti kundërshtojë këto trysni të Serbisë, dhe si rezultat i kësaj bëjnë lëshime pas lëshimeve, duke lejuar decentralizime në vija etnike. Kështu që Lugina e Preshevës me pjesët që i takojnë të mbetet e rrethuar nga Tokat e Komunat serbe. Përmes një farë sigurimi që duan tu bëjnë manastireve e kishave serbe preket pasuria private e qindra fshatrave, edhe pse këto manastire e kisha serbe janë ndërtuar mbi themelet e kishave orthodokse që ekzistonin para se sllavët të vinin në Kosovë e në Ballkan. Para se të fillohet me negociata është dashur fillimisht të njihet Pavarësia e Kosovës, të njihen kufijtë e Kosovës të ndërrohet Kushtetuta e Kosovës, të nxirret Ligji për decentralizimin. Serbët kërkojnë që nëpërmjet decentralizimit ta zgjerojnë Serbinë në kurriz të teritoreve të Kosovës. Qëllimi i Serbisë është ta dramatizojë Kosovën, të mos lejojë të jetë e qetë Kosova, dhe të arsyetohen ato mijëra vrasje, djegie dhe persona të humbur. Ata që i bënë krimet në Kosovë janë në pushtet në Beograd. Në botë është duke u krijuar përshtypja sikur shqiptarët pajtohen për të ndodhur këto gjëra. Ne jemi i vetmi komb në Evropë i vetmi shtet dhe i vetmi popull në botë që rrethohemi me veten tonë. Të gjithë kanë marrë copa trojesh nga ne. Ne jemi të udhëhequr nga njerëz të cilët i zgjedhin të huajt. Qysh tani shihet se Kosova do ta fitojë një pavarësi me defekte e mangësi të shumta, pavarësi e cila do të jetë e kontrolluar dhe e mbikëqyrur. Vazalë e servilë gjen te çdo popull. Në Kosovë duhet të jenë në ballë udhëheqësit e vërtetë të këtij populli”.
“Shqiptarëve nuk ju duhen shumë parti”
Herën e tretë Adem Demaçin e takova në Dibër më 25 qershor të vitin 2011 në promovimin e librit të Mahmud Hysës, dhe me këtë rast ramë dakord që ta bëjmë edhe intervistën e tretë të rradhës e cila u botua në gazetën “Fakti” më 27 qershor 2011 me titull “Shqiptarëve nuk ju duhen shumë parti”. Po japim edhe disa fjali për lexuesit tanë nga kjo intervistë. “Ne jemi shtet i ri i shpallur para 3 viteve si shtet i pavarur por ende jemi larg nga një pavarësi e vërtetë. Nuk e kemi ushtrinë e policinë tonë që ta komandojmë vetë. Kemi gjyqet dhe prokurorët ndërkombëtarë siç kemi Euleksin”. Serbia është e armatosur gjer në dhëmbë, ndërsa ne jemi të çarmatosur, jemi shteti më i prapambetur i Evropës me një papunësi enorme. Kemi kushte e rrethana natyrore, pasuri mbitokësore e nëntokësore, kemi rininë, kemi fuqi dhe energji të madhe e cila nuk po përdoret, sepse nuk ka kapital, ambicia e jonë është që ta zëmë botën , sepse kemi kapacitete, energji e dëshirë. Qeveria e Kosovës nuk i ka të gjitha kompetencat e prerogativat që të mund të punojë sa duhet. I zhvillojmë bisedimet me Serbinë edhe kur ajo thotë hapur se nuk e pranon Kosovën, duke paraqitur kërkesa absurde. Bashkësia Ndërkombëtare i ka interesat e veta që ta tërheq Serbinë në BE don që ta shkëpusë nga Rusia. Serbia ende është një shtet nacionalist, fundamentalist, çetnik, i cili ende nuk e ka pranuar realitetin e nuk e pranon Kosovën. Në krejt hapësirat shqiptare partitë e shumta janë të tepërta. Ne na duhen aqë parti sa të mund të funksionojmë. Duhet të jemi të bashkuar fortë që të mund ti përballojmë të gjitha sfidat. Me Projektin e Ahtisarit Kosova nuk mund të bashkohet me askënd as me Shqipërinë. Ky është një kurth pa nevojë i qeverisë sonë oportuniste por besoj se edhe këtë kurth do ta shkatërojmë”, thotë në fund Adem Demaçi”.

Nuk ka shqiptar të ngjashëm si Adem Demaçi
Shkrimi im i katërt për Adem Demaçin me titull “Adem Demaçi President” u botua po në gazetën “Fakti” më datë 12 korrik 2011. Duke e njohur nga afër Adem Demaçin vendosa që me anë të këtij teksti të trokas në ndërgjegjen e mbarë Kosovës që këtij kolosi ti jepet mundësi institucionale për ti shprehur aftësitë e tij në mënyrë praktike.
Perëndia ia fali Kosovës Adem Demaçin kaqë vital e mendjehollë, shkrimtar, patriot e aktivist i shquar, sypatrembur, i palodhshëm, i sinqertë dhe i pa kursyer me rrezatim mbarëshqiptar. Mbresa profesionale që më la si gazetar Adem Demaçi, ishte pozicionimi i tij si bashkëbisedues, përgjigjet e rrufeshme, të sakta, përmbajtësore e të qëlluara ndaj pyetjeve të lidhura gjithnjë me çështjen kosovare e mbarëshqiptare në kontekst të aktualitetit të brendshëm e të jashtëm të atyre që ia duan e nuk ja duan të mirën Kosovës. Ai ishte njohës i shkëlqyer i gjendjes politike, shtetërore, diplomatike dhe ndërkombëtare i çështjes shqiptare. Nuk ka njohës më të mirë të historisë e situatës kosovare e mbarëshqiptare, nuk ka prezantues që me aqë lehtësi, urtësi e saktësi ti paraqet problemet tona që na ngulfatin me shekuj me opsionet më konstruktive për zgjidhjen e tyre. Nuk ka shqiptar të ngjashëm si Adem Demaçi. Baca Adem i kishte të gjitha nishanet për të qenë, deputet, ministër, kryeministër apo President i Kosovës. Ai ishte intelektual i përsosur personalitet që e donte lirinë e paqen për të gjithë. Ai kishte vizion të qartë, aftësi organizative dhe njohuri mahnitëse për ta çuar Kosovën para. Shkrimi im i pestë për Adem Demaçin ishte kollumna me titull “Më shumë kujdes për Adem Demaçin”, e botuar më datë 23 mars 2018 në gazetën “Koha”.
Motivi për ta bërë këtë shkrim ishin informatat që kisha se Baca Adem ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe sipas nevojës i jepej ndihma mjekësore në banesën e tij. Ndërkohë që shumë funksionarë kosovarë qoftë për një sëmundje gripi shkonin për tu shëruar jashtë shtetit. Adem Demaçi jetoi dhe veproi në mesin tonë dhe shërbeu si idol duke nxitur shumë gjenerata që të jenë të guximshëm në kërkimin e të drejtave të shqiptarëve. Ai do të mbetet gjithnjë shembëlltyre e ndritur patriotike. Adem Demaçi ishte dhe mbetet ylli ndriçues dhe dijamant i çmuar në mesin e shqiptarëve. Le të turpërohen të gjithë ata që bënë mëkat ndaj Adem Demaçit.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com