Le të shpëtojmë vendin!

123

Le të përdorim të gjitha lidhjet tona, le të kontaktojmë ambasada dhe ambasadorë, njerëz me pushtet e faktorë të vendeve të tyre, e le t’ju kërkojmë vaksina, le t’ju shprehim të dëshirën tonë për të jetuar, për të qenë të barabartë me gjithë ata që tani po i gëzohen lirisë së jetës. Le ta bëjmë këtë, jeta është dhe duhet të jetë gjithnjë mbi politikën e pushtetet, dhe sigurisht kur zgjidhja të jetë bërë – Qeveria duhet të mbajë përgjegjësinë e saj që kurrë më mos përsëritet një tragjedi si kjo që po jetojmë

Nga Dr. Arben TARAVARI

Ndërkohë që shtetet po bëjnë garë me kohën se cili do të mund të mbyllë sa më shpejt vaksinimin masiv, në vendin tonë jetojmë nën masat shtrënguese gati të njëjta që u aplikuan prej fillimit të Maqedonisë. Taktika e mbylljes apo shmangies sa më shumë të kontakteve është një taktikë që dhà rezultat në uljen e numrit të infektimeve por është e vjetër Sa kontinenti tashmë në luftën kundër virusit. Sot në front janë vendosur vaksinat, Shqipëria fqinje ka arritur të vaksinojë 300 mijë banorë të saj në momentet që flasim, kurse tek ne flitet për pritje të mëdha por deri tani kemi aq pak vaksinime sa për fatkeqësi tonën kemi disa ditë që renditemi të 3-ët në botë për nga vdekshmëria. Ky nuk është një “lapsus calami” (gabim drejtshkrimor), është mëse e vërtetë që në një planet prej rreth 195 shtetesh, Maqedonia e Halleve që zyrtarisht njihet si Maqedonia e Veriut, me një popullsi prej 2 milionë e 100 mijë banorësh, numër ky që në Kinë do të përbënte një lagje të vogël të Shangait, apo me një sipërfaqe diçka më pak se 28 mijë km2 që krahasuar me Siberinë për shembull duket si një qytezë (më e vogël se qyteti), pikërisht ky shtet modest në përmasa arrin të zërë majat e klasifikimit për nga vdekshmëria në kohën e pandemisë.

Nuk duhet ndonjë mendje tepër e hollë pwr të kuptuar se ku rëndon faji dhe përgjegjësia, për të cilët kemi folur, akuzuar dhe kritikuar shpesh, por në kushte e rrethana të tilla kritika nuk është zgjidhje që ndihmon askënd. Njerëzit që i shtohen varrezave janë të të gjithëve sepse pandemia nuk njeh parti e as pushtet, nëse dikush goditet më ashpër prej saj nuk ka post kryeministror apo presidencial që mund ta largojë. Nga ana tjetër kjo gjysëm-mbyllja që ka vendosur Qeveria si mundësi e vetme për parandalim të infeksioneve dhe fataliteteve, është efikase por nga ana tjetër ka paralizuar sektorin ekonomik i cili edhe para se të goditeshim nga pandemia ishte i çalë, imagjinoni se çfarë ndodh tashmë që po bëhet më shumë se një vit që është target i mbylljeve zinxhir për shkak të virusit.

Qeveria ndërkohë ka folur për suport financiar drejt subjekteve private, shifrat kanë shumë zero dhe kur i dëgjon duken spektakolare por një ekonomist profesionist do të sqaronte menjëherë të vërtetën se këto shifra, nëse pjesëtohen me numrin e subjekteve që pretendojnë se e meritojnë ndihmën financiare, katandisen aq pak, sa kjo është arsyeja që Qeveria nuk flet me shifra konkrete për emra konkret. Një hall tjetër është se korrupsioni, i cili ndodhet në atdhe të vet këtu në Maqedoni, bën që mundësia për abuzim me këto para të jetë e madhe dhe ndarja e tyre e padrejtë. Qeveria dha dhe të famshmit “vauçer”, madje dikush tha se Zaevi i fitoi zgjedhjet me paratë e shtetit, duke hamendësuar se vauçerat u dhanë në këmbim të votave, gjë e cila është krim për Zaevin dhe turp për atë qytetar që është shitur për aq para, por kjo e vërtetë mund të rëndojë nga ana e kryeministrit ndoshta, por jo nga ana e popullit, sepse jam i bindur që karakteri dhe dinjiteti i këtij populli nuk blihet kurrë. Por gjithsesi le të fokusohemi tek gjendja aktuale.

Na duhet zgjidhje. Na duhen vaksina, madje nëse dikush pyet kur ju duhen, përgjigjja nuk është Sot, por Dje! Nga ky pozicion bëj thirrje që Qeveria dhe Opozita, të gjitha organizatat pavarësisht karakterit të tyre, odat ekonomike, të gjithë faktorët institucionalë dhe privat në këtë vend, të futen në Aksionin e Vaksinës. E di që me të drejtë shumëkush do të thotë se kjo është detyrë e Qeverisë, pse nuk jep dorëheqjen meqë ka dështuar në krizën më të madhe shëndetësore duke na dhënë rekorde vdekjesh… të gjitha këta qytetarê që mendojnë kështu dhe janë shumica kanë të drejtë si ligji mbi kriminelin, por tashmë është momenti që energjitë tona t’i përqendrojmë tek shpëtimi i sa më shumë jetëve në radhë të parë por dhe tek shpëtimi ekonomik i vendit. Le të përdorim të gjitha lidhjet tona, le të kontaktojmë ambasada dhe ambasadorë, njerëz me pushtet e faktorë të vendeve të tyre, e le t’ju kërkojmë vaksina, le t’ju shprehim të dëshirën tonë për të jetuar, për të qenë të barabartë me gjithë ata që tani po i gëzohen lirisë së jetës. Le ta bëjmë këtë, jeta është dhe duhet të jetë gjithnjë mbi politikën e pushtetet, dhe sigurisht kur zgjidhja të jetë bërë – Qeveria duhet të mbajë përgjegjësinë e saj që kurrë më mos përsëritet një tragjedi si kjo që po jetojmë.

Natyrisht që rreshtat e kritikës drejtuar këtij grupi njerëzish të ç’orientuar që e quan veten qeveri,janë aq të shumtë sa mund të shkruhen libra voluminozë, por ajo çfarë është urgjente tash, akute, është sigurimi sa më i shpejtë dhe i sa më shumë dozave të vaksinës.

Sugjeroj me këmbëngulje që çdo institucion shtetëror apo subjekt privat, qoftë edhe individ që ka kontakte dhe njohje me institucione të ndryshme që mund të sigurojnë vaksina, të kërkojnë menjëherë, sepse vdekjet nuk presin. I lutem personalisht, me përzemërsi dhe sinqeritet çdo ambasade të huaj të alokuar në Maqedoni, që të na ndihmojë me sa të mundet me doza vaksinash, mungesa e të cilave e ka shndërruar këtë shtet ballkanik në një shtet të mjeruar afrikan… Kërkesat e mia do t’i bëj personalisht në takime me miqtë ambasadorë e me diplomatë të shquar që janë miq të dëshmuar të popullsisë së këtij shteti.

Duke uruar që vaksinat të vijnë sa më shpejt, duke kujtuar që kjo thirrje për të bashkuar forcat të gjithë drejt një qëllimi bëhet në emër të jetës, shpresoj që vaksinimi masiv të fillojë sa më shpejt dhe jeta të rifillojë në vendin tonë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)