Shkrimtari shqiptar dhe vepra e tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” përfshihet në listën e 100 romaneve më të mirë. Lexuesit spanjishtfolës duan Nobelin për shkrimtarin e madh shqiptar
Gazeta franceze “Le Monde” ka përzgjedhur në listën e 100 shkrimtarëve më të mirë, edhe Ismail Kadarenë më romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Ky suplement vjen në formën e sugjerimit për lexuesin, të një plejade elitare të autorëve të evidentuar nga kritiket e gazetës që prej vitit 1946. Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare dhe vepra e tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është përfshirë në listën e 100 romaneve më të mirë që kritikët e gazetës “Le Monde” kanë evidentuar që prej krijimit të saj në 1946. Kadare renditet mes shkrimtarëve të mëdhenj të këtij shekulli, si Kazanzaqis, Pasternak, Kundera, Solzhenicin, Aragon, Jurcenar, Graham Greene, Salman Rushdie etj. Kjo plejadë elitare vjen si një sugjerim për lexuesin, nëpërmjet një suplementi të veçantë letrar, që këshillon mes tyre edhe romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të prezantuar me kritikën që Alen Boske i ka bërë në “Le Monde” në vitin 1970. “Ajo që godet menjëherë është ironia fine e autorit, gjenerali i tij italian nuk është një karikaturë. Ai ka virtytet e tij, një nga të cilat është besimi gjysmak në misionin e vet, dhe të meta si për shembull indiferenca ndaj gjithçkaje” shkruan Boske për romanin e Kadaresë. Për kritikët e “Le Monde”, kjo përzgjedhje e vetëm disa shkrimtarëve mes emrave të mëdhenj, nuk ka qenë një punë e lehtë. Në suplement sqarohet se lista e autorëve ka qenë fryt i diskutimeve dhe debateve të forta. Kujtojmë që vepra tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, është botuar më 1963 në Tiranë. Vepra nisi së pari si një tregim të cilin e botoi më 1962 dhe më pas u përpunua dhe u botua si roman vitin pasues po në Tiranë. Vepra u përkthye në gjuhë të tjera dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare. Vepra frymëzoi dhe u përshtat në zhanre të tjera të artit, si filmi “Kthim i ushtrisë së vdekur” i Dhimitër Anagnostit dhe përshtatja në filmin dramatik “Il Generale dell’armata morta” të italianit Luciano Tovolit më 1983.
Sondazhi në Spanjë
Shkrimtari i ri, Rodrigo Blanco Calderón, që jeton në Malaga, të Spanjës, bëri një anketim spontan në rrjetin social Twitter, ku i pyeste lexuesit se nëse do të zgjidhnit dy shkrimtarë për Çmimin e ardhshëm të Nobelit në Letërsi, kush do të ishin. Postimi i shkruar në spanjisht merr përgjigje kryesisht nga përdorues spanjishtfolës të rrjetit. Mes emrave të shumtë të preferuar, ai më i përsërituri është ai i shqiptarit Ismail Kadare.
Aq shumë përsëritet emri i shkrimtarit shqiptar sa që në fund, vetë Blanco Calderón shkruan se: “Nga kjo anketë, më habiti dhe më gëzoi konsensusi i gjerë se një nga autorët të cilit i duhet dhënë pa asnjë dyshim Nobeli është shqiptari Ismail Kadare”. Autori i librave si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe “Pallati i Ëndrrave”, ka qenë për shumë vite në listën e shkurtër të kandidatëve për Çmimin Nobel, po vonesa në njohjen e vlerës së veprës së tij ka shtuar dyshimin se Kadare do të jetë pjesë e plejadës së shkrimtarëve të mëdhenj të cilëve nuk iu dha ndonjëherë. Jo të gjitha përgjigjet për pyetjet tregojnë mirëinformim. Një numër syresh kanë thënë Milan Kundera, i cili e ka fituar tashmë Çmimin Nobel, apo Amos Oz, e Umberto Eco, të cilët nuk jetojnë më. Mes dhjetëra emrash të përmendur si fitues që e meritojnë përveç Kadaresë përmenden shpesh edhe Paul Auster nga SHBA, Margaret Atwood nga Kanada si dhe poeti Rafael Cadenas nga Venezuela.
Shkrimtari
Rodrigo Blanco Calderoni, i lindur në Venezuelë e i shkolluar në Paris, ka botuar një numër librash në Spanjë, një prej të cilëve, “The Night” (Nata) ka fituar një numër çmimesh, përfshi edhe Çmimin Dyvjeçar të Romanit “Mario Vargas Llosa” si dhe të Çmimin e Rive Gauche në Paris, për Romanin e Huaj. Për kuriozitet, duke qenë se Venezuela ka qenë në lajme kohët e fundit, ai ka folur ashpër kundër regjimit diktatorial në Venezuelë dhe u është përgjigjur disa kritikëve të tij majtistë në Europë se të jesh kundër tragjedisë të popullit tënd nuk të bën “reaksionar”. Libri i tij i fundit “Los Terneros” (Demat) doli nga shtëpia botuese “Páginas de Espuma”, në vitin 2018.