Bruksel, 16 gusht – Gazeta ditore franceze me ndikim “Le Mond” në tekstin kushtuar pranisë së presidentit rus, Vlladimir Putin në dasmën e ministres austriake të Punëve të Jashtme, Karin Knajsël, më 18 gusht, citon një diplomat evropian i cili pohon se Rusia po punon në këmbim të territoreve me Kosovën.
Sipas diplomatit, Kremlini është “mjaft aktiv” rreth planit “shpërthyes” të këmbimit të territoreve me Kosovën.
“Maria Zaharova, zëdhënëse e diplomacisë ruse, kohë më parë qëndroi në Beograd. Ajo publikisht e mbështeti aleatin serb në korniza të këtij procesi. Rusia ka interes që ky këmbim të konkretizohet sepse shpreson se plotësisht do t’i ndajë evropianët dhe konsideron se ndryshimi i tillë i kufinjve do t’i shërbejë në argumentimin për Krimenë para Perëndimit”, thekson diplomati anonim evropian për “Le Mond”.
Më tutje, gazeta shton se Zaharova “mund të konsiderojë në ndihmën e Vjenës, ndikuese në Ballkan”.
“Le Mond” vlerëson se me kthimin e pushtetit të partisë FPO (e djathta ekstreme, parti e koalicionit), e cila e nominoi Knajsël për ministre, pozicionet ndaj Ballkanit u bënë “të paqarta” edhe krahas njohjes së pavarësisë së Kosovës sepse lideri i FPO-së dhe nën-kancelari austriak, Hajnz Kristian Shtrahe, deklaroi se Kosova edhe më tutje është pjesë e Serbisë dhe e mbështeti pavarësinë për Republikën Sërbska.
Putin është ftuar në dasmën e Knajsël të shtunën dhe pritet të marrë pjesë para se të niset për në takimin me kancelaren Angela Merkel në Gjermani. shkruan gazeta franceze.
Shumë hulumtime treguan se Qeveria e Putinit mban lidhje me disa parti nga e djathta ekstreme në Evropë.
“Kësaj radhe do të mund të vërejmë se Putin ka edhe lidhje personale me disa nga anëtarët”, thekson “Le Mond”.