“Le Courrier des Balkans”: Një pllakë përkujtimore për lavdinë e Erdoganit që nuk i rri mirë Tiranës

Revista franceze “Courrier des Balkans” i ka kushtuar një artikull memorialit për grushtin e shtetit në Turqi,të ngritur në Tiranë, dhe debateve të lindura prej tij.

Në një artikull të dt.3 shtator me titull “SHQIPËRI: Një pllakë përkujtimore për lavdinë e Erdoğanit që nuk i rri mire Tiranes” revista shkruan për reagimet në vend, vendimin e bashkisë Tiranë, reagimet negative nga publiku si dhe cenimin e normave të BE nga disa nisma ekonomike turko-shqiptare.

Courrier des Balkans është një revistë franceze e specializuar që lexohet nga politikanët, diplomatët e studiuesit e interesuar për Europën Juglindore

“Ky është një memorial i diskutueshëm: që nga korriku i kaluar, një pllakë në Parkun e Tiranës mban emrat e 251 viktimave të grushtit të shtetit të dështuar të 15 korrikut 2016 në Turqi. Një iniciativë e kritikuar nga shumë banorë të kryeqytetit shqiptar, të cilët denoncojnë ndërhyrjen në politikën e brendshme turke dhe lidhjet e ngushta midis kryeministrit Edi Rama dhe ‘Sulltanit’, Rexhep Tajip Erdogan”, shkruan revista.

Shkrimi i plotë:

Që nga korriku i kaluar, një pllakë përkujtimore e vendosur në afërsi të liqenit artificial të parkut të madh të Tiranës, për nder te qytetarëve turq të vrarë në mbrojtje të regjimit të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, ka ngjallur polemikë ne Tirane.

Në një pllakë betoni, janë gdhendur emrat e 251 personave që u vranë ndërsa po përpiqeshin të mposhtin përpjekjen për grusht shteti, më 15 korrik 2016. Rruga që të çon në memorial u riemërua nga bashkia e Tiranes “Rruga e Dëshmorëve të 15 korrikut”, si dhe parku ku është ngritur memoriali i vogël me ndihmën financiare të Agjencisë Turke për Bashkëpunim (TIKA), e cila mban emrin e “Parkut të Demokracisë së 15 korrikut”.

Një nismë e pakuptueshme për disa banorë të Tiranës, te vendosur t’a heqin sa më shpejt këtë memorial. Sipas tyre, bashkia ndërhyn me këtë monument në një çështje të politikës së brendshme turke. “Ky memorial nuk na përket neve!” Thone disa kalimtare qe po shëtisnin në park.

Më 13 gusht, u bë një kërkesë për të hequr memorialin dhe për të hequr emërtimet e reja nga rruga dhe parku. Në një peticion në internet, grushti i shteti i dështuar në Turqi përshkruhet si “një ngjarje që nuk ka asnjë rëndësi historike, kulturore apo shpirtërore për qytetarët e Tiranës”.

Më 30 gusht rreth orës 6 të mëngjesit, një person ende i paidentifikuar, por i kërkuar në mënyrë aktive nga policia, dëmtoi monumentin. Dhe kjo nuk është hera e parë që bëhen përpjekje për të sulmuar pllakën e diskutueshme, të cilën policia po e monitoron 24 orë në ditë. “Përse duhet një memorial ne vendin tone i një grushti shteti i mbetur ne tentative në Turqi? Ne nuk kemi asnjë lidhje me flamujt turq që valeviten në rrugët tona! Zoti na ruaj nga një çmenduri e tillë. Vetëm qeveria jonë ishte në gjendje te beje një gjë te tille!” Shprehet e indinjuar Fatma, një grua në të pesëdhjetat.

“Kini kujdes, mos luani me identitetin tonë, ne nuk jemi më një provincë e Perandorisë Osmane! Memoriali u financua nga një fondacion turk dhe një OJQ e mbështetur nga qeveria turke. Por kur Erdogan nuk do te jete më president, pasardhësi i tij ka të ngjarë të vërë në dyshim këtë memorial. Ai do të kërkojë të hiqet, dhe pastaj, çfarë do të bëjmë ne? Çfarë figure do të bëjë Shqipëria?”, vazhdon gazetari Ilir Yzeiri.

“Një monument kushtuar Atatürkut ose miqësise shqiptaro-Turke nuk do të shkaktonte ndonjë polemikë, madje asnjë zemërim.” Thote gazetari tjeter Blendi Salaj qe eshtë gjithashtu shumë kritik: “77,000 persona të arrestuar zyrtarisht, 143 gazetarë në burg, 7,000 ushtarakë të arrestuar, përfshirë 58 gjeneralë. 151 persona u dënuan me burgim të përjetshëm, 130,000 njerëz të pushkatuar përfshirë 6000 akademikë… Ky është vlerësimi tjetër i 15 korrikut 2016 në Turqi. Sidoqoftë, këtu nuk ka ndjenja anti-turke, edhe pse pesë shekuj nen Perandorinë osmane kanë lënë kujtime të hidhura. Një monument kushtuar Atatürkut ose miqësisë shqiptaro-turke nuk do të shkaktonte ndonjë polemikë, asnjë zemërim. Nga ana tjetër, nuk kam gjetur askënd që të paraqesë argumente logjike dhe racionale në favor të këtij monumenti… Shqiptarët nuk duan të regjistrohen politikisht pa dijeninë e tyre.”

Polemika publike rreth kësaj pllake përkujtimore shtron pyetje në lidhje me ligjshmërinë e instalimit të saj. Në të vërtetë, vendimi për të nderuar këtë ngjarje në historinë e Turqisë është marrë në fshehtësi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret shqiptare. Asnjë konsultim publik nuk u krye dhe qytetarët e Tiranës nuk patën mundësinë për të komentuar projektin.

As kryebashkiaku e as qeveria nuk kanë njoftuar publikisht përurimin e monumentit, të cilin mediat i kanë mësuar përmes një deklarate për shtyp dhe fotografive të transmetuara nga Ambasada Turke. Qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e Tiranës bëjnë shurdh memecin duke mos dhënë asnjë shpjegim për zgjedhjen e vendosjes së kësaj pllake përkujtimore në park: nuk dihet se kush mori vendimin për ta ngritur atë, mbi cilën bazën juridike dhe cila procedurë u ndoq!

Për opozitën shqiptare ky memorial përfaqëson “një shkelje të sovranitetit kombëtar dhe një mungesë dinjiteti të shtetit shqiptar”. Shumë intelektualë u shprehen se nuk na takon ne te përfshihemi ne në çështje te brendshme politike të Turqisë, një veprim i rastësishëm që synon të tërhiqte më shumë investime turke në Shqipëri. Në fakt, Turqia është gjithnjë e më e pranishme ekonomikisht në vend, megjithëse në raste, siç është ai i aeroportit te Vlorës, ose ai i kompanisë Air Albania, shkel rregullat evropiane.

Në ndjekjen e të ashtuquajturve “puçistë”, qeveria turke gjithashtu u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur autoriteteve shqiptare që të marrin masa kundër institucioneve të lidhura me rrjetin e Imamit Fethullah Gulen, por këto kërkesa deri më tani janë refuzuar, me gjithë marrëdhëniet e mira që mbizotërojnë midis Presidentit turk dhe Kryeministrit Edi Rama. Përkundrazi, në Kosovë, disa mësues të Gylenistëve u arrestuan dhe u internuan në Turqi, në shkelje flagrante të ligjeve të këtij vendi (Koha Jonë).