LDK-ja kërkon nga shqiptarët e Maqedonisë të dalin masovisht në referendum

Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ka ndjekur me kujdes të madh të gjitha zhvillimet lidhur me procesin e ndryshimit të emrit të Republikës së Maqedonisë, si dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit institucionalë e politikë të shqiptarëve të Maqedonisë.

“LDK-ja vlerëson se vendi ynë fqinj, Maqedonia, është para një momenti shumë të rëndësishëm dhe historik për të ardhmen e popujve të saj. Të dielën qytetarët e Maqedonisë do të vendosin për të ardhmen evropiane të vendit të tyre, për prosperitetin dhe për sigurinë e rajonit tonë”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

LDK-ja, thuhet tutje, vlerëson se është në interesin jetik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në interesin e shqiptarëve kudo që janë, që shqiptarët e Maqedonisë, të dielën, të marrin pjesë masovisht në referendum dhe të votojnë pro marrëveshjes historike.

“LDK-ja u bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që këtë moment historik ta përdorin në interesin e tyre dhe në të mirë të së ardhmes evropiane të shtetit të tyre”, përfundon komunikata e LDK-së.