Polemika e re në Itali është krijuar nga Claudio Ranieri, i cili ka folur për një Lazio-Inter luajtur në 2010, duke e krahasuar me Lazio-Atalanta të dielën, ku aludohet se Lazio mund të hapë rrugë, për të ndihmuar Atalantën të shkojë në Champions League, çka do të dëmtonte Romën.
Edhe para 9 vitesh ishte situatë e njëjtë, Roma luftonte për titull me Interin dhe Lazio zbatoi urdhrin e tifozerisë ultras, sepse Curva Nord kërkoi të ulej impenjimi pë sfidën në Olimpico kundër Interit.
“Po, kështu ndodhi”, tha Ranieri në konferencën e djeshme për shtyp. “Tani bëhet krahasimi me ndeshjen me Atalantën, sepse situata është e ngjashme, por mua nuk më intereson, për këto gjëra duhet të mendojë Liga. Unë mendoj të luaj, të stërvit, kam qenë gjithnjë një person korrekt dhe kam luajtur ndershëm”.
Kaq u desh që të plaste “lufta”, sepse Lazio ka reaguar ashpër, nëpërmjet zëdhënësit të vet Arturo Diaconale: “Duhet të ndërhyjë Liga. Janë pohime të rënda, ngatërrohet tifozi me funksionarin e klubit, që nuk lejohet të flasë pa prova. Edhe tifozë të ndryshëm të Lazios thonë që Roma i ka fituar lehtë dy ndeshjet e fundit, por askush te klubi Lazio nuk e çon ndërmend të thotë gjëra të tilla”.
Sipas asaj që mëson ANSA, Federata Italiane e Futbollit ka kërkuar videon e plotë të konferencës për shtyp të Claudio Ranierit, për të analizuar fjalët e Ranierit. Javën e ardhshme pritet vendim dhe Ranieri mund të pezullohet ose gjobitet.