Lazio rinovon me Strakoshën dhe Immobilen deri në vitin 2022

Kanë bërë një nisje sezoni të mrekullueshëm të dy, Thomas Strakosha në portë dhe Ciro Immobile në vijën e parë të sulmit, duke shënuar plot 11 gola dhe kryesuar renditjen për momentin. Dhe Lazio i ka shpërblyer sot të dy protagonistët e sezonit, duke u zgjatur kontratën deri në vitin 2022. Klubi bardhekaltër ka vendosur të “blindojë” portierin e Kombëtares shqiptare, duke parë edhe moshën e re, 22 vjeç.

Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi kryeqytetas me një komunikatë për shtyp në faqen e tyre zyrtare. Termat financiarë ende nuk janë bërë të ditura, aktualisht Strakosha paguhet 600 mijë euro në sezon, shumë pak krahasuar me portierët e tjerë të Serie A. Në javën e nëntë, Lazio pret Cagliarin në “Olimpico”, ku kërkohet një tjetër fitore. Aktualisht Lazio mban vendin e katërt, me pikë të barabarta me Juventus, 19. Përfaqësimi në Champions League vitin e ardhshëm është shumë i vështirë, por jo i pamundur.