Futbolli nuk ndalet as këtë të martë. Nga Kupa e Italisë te kampionati anglez për të vazhduar me Kupën e Francës. Spikat padiskutim dueli i parë gjysmëfinal i Kupës së Italisë ai mes Lazios dhe Milanit që do të luhet në Olimpico të Romës. Për të dytin vit radhazi shorti i vendos këto dy skuadra përballë njëra-tjetrës në fazën gjysmëfinale, por nëse sezonin e kaluar u kualifikua Milani pas goditjes së penalltive pasi të dyja ndeshjet përfunduan në barazime pa gola, këtë sezon Lazio do të bëjë çmos për të kapur finalen, sepse ndryshe nga një vit më parë kur në lojë ishte Juventusi, këtë vit e kualifikuara e duelit Lazio-Milan kthehet në favoriten kryesore për të fituar trofeun e Kupës.
Lazio me Strakoshën në portë do të përpiqet të mos pësojë sot në mbrëmje, pasi një gol në fushën kundërshtare do ti jepte një bonus të madh Milanit për të avancuar më tej. Mbetet për tu parë nëse Gattuso do të aktivizojë sërish njeriun e momentit Piatek në majën e sulmit apo do t’i japë një shans Patrick Cutrones. Premier League nuk pushon as këtë mesjavë. Kampionati anglez zhvillon sot dhe neser ndeshjet e javës së 28-të. Në pritje të supersfidës Chelsea-Tottenham, antipasta që ofron Supersport këtë të martë është takimi Neëcastle-Burnley një sfidë për mbijetesë mes dy ekipeve që kanë bërë paraqitje të mira në javët e fundit. Kupa e Francës është një tjetër kompeticion i rëndësishëm që transmetohet në Supersport. Këtë të martë nis faza çerekfinale ku spikat padiskutim takimi mes kampionëve në fuqi të këtij kompeticioni PSG dhe Dijon. Një ndeshje e lehtë në letër për skuadrën e Thomas Tuchel që pasi u eliminua nga Kupa e Ligës nuk dëshiron të zhgënjejë edhe në Kupën e Francës.