Lazim Destani takoi ambasadorin Walker

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, i bëri sot një vizitë miqësore biznesmenit dhe filantropit të njohur shqiptarë nga Tetova, Lazim Destani, në hapësirat e kompanisë “Ecolog International”. Vizita e tij i dedikohet përpjekjeve të diasporës shqiptare për të avancuar çështjen e zgjidhjes së problemeve në Ballkan, veçanërisht zgjidhjen e problemeve me të cilat shqiptarët ballafaqohen gjithandej në trojet ku ata jetojnë. Ambasadori Walker me këtë rast tregoi konsideratë të lartë ndaj z.Destanit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në raport me çështjen shqiptare. Duke ndarë kujtime nga koha kur gjithkush dha kontributin e vet maksimal në kapërcimin e krizës që Kosova kishte në fund të viteve të 90-ta, Lazim Destani shprehu konsideratën e tij të jashtëzakonshme ndaj veprës dhe kontributit të William Walker, që nga koha e misionit të tij të parë në Ballkan, e më pas edhe në kyçjen e tij aktive për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të Kosovës. Lazim Destani tha që aq më shumë është mirënjohës për faktin se ambasadori Walker asnjëherë nuk reshti të angazhohej edhe më tej për popujt e Ballkanit, veçanërisht shqiptarët, gjë që e bën edhe sot me shumë energji dhe dëshirë. “Megjithatë, edhe ne duhet të bëjmë pjesën tonë”, u shpreh Destani. Takimi disa orësh përfundoi me dakordimin se, edhe më tej çdonjëri do të angazhohet seriozisht në arritjen e vizionit të përbashkët për shqiptarët, që padyshim është zhvillimi dhe avancimi i tyre, gjë që do të sjell në zhvillimin e Ballkanit në përgjithësi!