Dje në Tetovë, me rastin e përvjetorit të Universitetit shtetëror të Tetovës, me vendim të Senatit të Universitetit , ky institucion dekoroi z. Lazim Destani me titullin Doctor Honoris Causa. Në referatin për shpalljen e vendimit nga ana e Universitetit u tha se bëmat dhe veprat e Lazim Destanit kapërcejnë vetë referatin dhe atë që mund të shprehet përmes leksemave ekzistuese gjuhësore.
”Profili i tij prej humanisti dhe atdhetari nuk mund të përmblidhet thjesht vetëm në një sekuencë të shkruar të formës gjuhësore, por arrin spektrin e hyjnores dhe të përjetshmes.” – tha prorektori i UT-së dhe anëtari i komisionit recensues Arbër Çeliku, gjatë leximit të vendimit. Lazim Destani gjatë fjalimit të tij pas pranimit të titullit tha se ndjehet i nderuar që ky çmim iu nda atij dhe se kjo nuk i takon vetëm atij por një rrethi më të gjerë njerëzish duke filluar nga familja e tij e deri te bashkudhëtarët tjerë në karrierën e tij, që sipas tij nuk janë të paktë. Ai theksoi edhe se përpjekjet dhe sakrificat për ngritjen e këtij Universiteti janë akoma të freskëta në memorie.
Lazim Destani është i njohur për aktivitetet filantrope në rajon, diasporë dhe më gjerë, ai madje sheh filantropinë si formë adresimi sfidash. “Për ta çuar përpara ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi, filantropia paraqet një fushë të rëndësishme aktivitetesh dhe meriton vëmendjen e afaristëve. Afarizmi gjithsesi mbetet gjenerator i rëndësishëm për zhvillimin e një vendi, por filantropia është po ashtu një vegël kyç për adresimin e sfidave të shoqërisë dhe është shumë më shumë sesa bamirësia. “ – tha filantropi Destani në përmbyllje të fjalimit të tij me rastin e dekorimit me titullin Doctor Honoris Causa nga ana e Universitetit Shtetëror të Tetovës.